Në akademinë përkujtimore “Faleminderit Shqipëri!”organizuar në Prishtinë në përkujdim të eksodit të ’99, foli dhe ish-kryeministri i atëhershëm Pandeli Majko. Edhe ai, si për t’i kujtuar Haradinajt faktin se Rama ç’prej atëhere ka kontribute për Kosovën, tha se ishte kjo që i bëri bashkë atë kohë, të majtë e të djathtë.
“Së bashku me Ilir Metën dhe shumë kolegë të tjerë, midis të cilëve edhe kryeministri Edi Rama mblidheshim, por a ishim kaq të bindur dhe të fortë? Ju siguroj që ishim edhe të frikësuar dhe të shqetësuar, na shkonte mendja se do ta na kujtohet emri për keq”.
Në ato momente të vështira të gjithë shqiptarët u bëmë një, të majtë e të djathtë, komunistë e ilegalistë. Me Sali Berishën ishim gati të vriteshim, por pas masakrës së Reçakut u mblodhëm dhe thamë: Kur serbët na vrasin ne duhet të bashkohemi”, tha Majko.
Ai vlerësoi dhe emër për emër lidershipin e sotëm kosovar, për atë të djeshme heroike.
“Kam përballë presidentin e Kosovës, si përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës dhe aspiratave të saj. Kokëfortë si ai, pavarësisht se sot flet shumë për dialogun.
Kam përballë kryeministrin e Kosovës, luftëtar si ai. Nuk besoj se kur mbante trupin e vëllait e mendonte se do të bëhej kryeministër.
Kam përballë Albin Kurtin. Nuk besoj se në burgun e Serbisë atë kohë mendonte se do të vinte një ditë që do të përfaqësonte një forcë politike të re dhe do të ishte kandidat për kryeministër”.
“Nuk kemi këtu Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë, të cilët bënë detyrën e tyre. Kështu që mendoj se ne kemi bërë veç detyrën tonë. Jemi një, por ndihemi edhe keq kur na falënderoni sepse ne jemi vëllezër.
Dhe vëllai edhe falënderohet edhe nuk falënderohet. A të mërzit ndonjëherë vëllai?
Të mërzit. Dhe si thoni ju në Kosovë kur ta sjellë në maje të hundës: vëllau si shkau”, tha Majko, i cili mban dhe nënshtetësi kosovare.