Ernesto Valverde u ka thënë lamtumirë tifozëve të Barcelonës përmes një letre të hapur, një ditë pas shkarkimit nga posti i trajnerit të Barcelonës, ku i fitoi dy tituj radhazi të La Ligës. Tekniku spanjoll falënderon të gjithë bashkëpunëtorët tek klubi katalanas.
Letra e lamtumirës nga Ernesto Valverde: “Koha ime si trajner i Barcelonës ka marrë fund. Kanë qenë dy vjet e gjysmë shumë intensive që nga fillimi. Gjatë kësaj kohe, unë kam shijuar momente të lumtura, duke festuar fitore dhe trofe, por edhe disa momente që kanë qenë të vështirë. Megjithatë, mbi të gjitha, do të doja ta theksoja përvojën time me tifozët dhe dashurinë që ata e kanë shfaqur me mua gjatë kohës sa kam qenë trajner.
Do të doja ta falënderoj presidentin Josep Maria Bartomeu dhe bordin e drejtuesve, që ma dhanë mundësinë ta drejtojë ekipin e parë dhe më besuan gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu do të doja t’i falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar në klub për përkrahjen e tyre dhe mënyrën se si më kanë trajtuar gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë, veçanërisht ata që kanë punuar me ekipin e parë dhe me të cilët kemi ndarë aq shumë momente të veçanta në kampin stërvitor dhe në rrugëtimet tona.
Natyrisht, dua t’i falënderoj lojtarët për të gjitha tentimet e tyre, të cilat na i kanë mundësuar t’i fitojmë katër trofe së bashku. Nga kjo ditë, unë ua uroj të gjithë fatin e botës atyre dhe trajnerit të ri Quique Setien. U pritshin të mirat të gjithëve. Rroftë Barcelona dhe rroftë Katalonja”. Kujtojmë që Quique Setien do të jetë trajneri i kampioneve në fuqi të La ligas.