Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim të qeverisë shqiptare vijon zbatimin e projektit për rikonstruksionin e qendrës së Fierit dhe rehabilitimin e lumit Gjanicë.

Rehabilitimi i shtratit të lumit “Gjanica” dhe shndërrimi në një nga ambientet më të frekuentuar për qytetaret, është pjesë e projektit që po zbatohet për rikonstruksionin e qendrës së qytetit të Fierit.

Në përfundim të projektit, në të dy anët e lumit, me një gjatësi prej 750 metrash, do të ketë trotuare me gurë dekorativë, skarpatet do të jenë të gjelbëruar, ndërsa janë planifikuar edhe ndërtimi i lulishteve me disa ballkone në pjesën e qendrës.

Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në hyrje të qytetit është ndërtuar një portë shërbimi, e cila do të grumbulloje mbeturinat që sjell lumi.

Shtrati i lumit Gjanica gjatë tre viteve të fundit është pastruar sistematikisht përgjatë gjithë gjatësisë së tij, deri aty ku bashkohet me lumin Seman.