Koronavirusi i ri nga Kina e ka kapërcyer shkallën e infeksionit të virusit të mëparshëm vdekjeprurës, SARS, duke u përhapur në të paktën 6 mijë pacientë e duke u marrë jetën 132 prej tyre. Vende të ndryshme po punojnë për riatdhesimin e shtetasve të vet ndërsa kompania më e madhe ajrore britanike ka anuluar fluturimet drejt Kinës. Koronavirusi i ri vazhdon të rritë bilancin e viktimave në Kinë, me një mesatare ditore prej 25 personash gjatë tri ditëve të fundit. Autoritetet informuan se numri i pacientëve që kanë ndërruar jetë është rritur në 132, numri i rasteve të konfirmuara në afro 6 mijë dhe 9 mijë të tjerë po mbahen nën vëzhgim nga simptomat.
Infeksioni tashmë është përhapur në 16 shtete nëpër botë, mes tyre Franca dhe Gjermania. Të mërkurën, kompania ajrore britanike “British Airways” njoftoi pezullimin deri në mars të të gjitha linjave direkte nga Londra drejt Pekinit dhe Shangait. Vendimi pasoi këshillën e paprecedentë të Ministrisë së Jashtme angleze për t’i udhëzuar qytetarët të mos udhëtojnë drejt shtetit aziatik nëse vizita e tyre nuk ka rëndësi jetike.Qytetarëve britanikë të mbetur në epiqendrën e epidemisë, në qytetin kinez të Vuhanit, iu tha të kontaktin Ambasadën e vendit në Pekin për të sqaruar mënyrën se si mund të kthehen në atdhe. Masa të ngjashme për riatdhesimin e banorëve të tyre kanë nisur të marrin edhe Italia, Franca, Japonia dhe SHBA-ja.
Për të evituar përhapjen e sëmundjes, Australia ka thënë se 600 qytetarë që do kthehen do vendosen provizorisht në karantinë në një ishull të vendit. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara tani tejkalon atë të SARS-it, një tjetër sëmundje e organeve të frymëmarrjes që vrau më shumë se 600 njerëz në të gjithë botën në vitet 2002-2003. Organizata Botërore e Shëndetit ende nuk e ka shpallur epideminë si emergjencë ndërkombëtare. Ndërkohë shkencëtarët australianë kanë krijuar në laborator një version të koronavirusit vdekjeprurës nga i cili shpresojnë së shpejti të gjenerojnë antitrupa dhe më vonë edhe një vaksinë finale.