“Viti i ri 2020 që sapo ka nisur duhet ta bëjmë të tillë, që të mbahet mend gjatë si viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re”. Kështu deklaroi sot kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në çeljen e sesionit të ri parlamentar . Balla theksoi se viti 2019 ishte një vit tejet i ngarkuar e me momente të vështira. Për gjeneratën time apo më të rinj se ne, tërmeti i 26 nëntorit ishte një moment tejet tragjik e që do të na shoqërojë gjithë jetën.
“51 të vdekur, rreth 1000 të plagosur, e mijëra familje që në ato sekonda që s’mbaronin tmerri, humbën shtëpitë e tyre. Ditët pas tërmetit ishin ditë të solidaritetit e humanizmit, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit të shqiptarëve si rrallë herë. E teksa faza e parë e emergjencës kaloi, tani sytë, mendjet, kërkesat janë tek rindërtimi”, tha Balla.
Ne si Kuvend, shtoi ai, “duhet të ndryshojmë tërësisht legjislacionin. Në fund të vitit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një sërë aktesh të lidhura tërësisht me trajtimin e familjeve të prekura, tek pensionet e veçanta, si dhe miratuam fondin më të madh në historinë e buxhetit tonë për ndërtimin e banesave të reja. Viti i ri 2020 që sapo ka nisur duhet ta bëjmë të tillë, që të mbahet mend gjate si viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re”. Po ashtu, nënvizoi Balla, “deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja”.