Përfaqësuesi i ri Special i Kryetarit të Përgjithshëm të OSBE-së për Procesin e Zgjidhjes së Transdniestrit, ambasadori Thomas Mayr-Harting, përfundoi vizitën e tij të parë në Moldavi në cilësinë e postit të tij të ri. Vizita, dy javë pas fillimit zyrtar të Kryesisë së OSBE nga ana e Shqipërisë, tregon fokusimin e Shqipërisë për zgjidhjen e konflikteve. “Si përfaqësues special i Kryesisë nga ana e Shqipërisë, qëllimi im është të mbështes palët për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për Transdniestrin, bazuar në sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Moldavisë brenda kufijve të saj ndërkombëtarisht të njohur, me një status të veçantë për Transdniestrin, që garanton plotësisht të drejtat njerëzore, politike, ekonomike dhe sociale të popullit të tij”, tha Mayr-Harting.
Në Kishinjev, përfaqësuesi special u takua me presidentin Igor Dodon, kryeministrin Ion Chicu, zëvendëskryeministrin për Riintegrimin, Alexandru Flenchea dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimet Europiane, Aureliu Ciocoi. Në Tiraspol, ai u takua me liderin e Transdniestrit, Vadim Krasnoselsky dhe kryenegociatorin Vitaly Ignatiev.
Ambasadori Mayr-Harting theksoi përparësitë për vitin 2020 dhe u bëri thirrje palëve që të ndjekin një qasje të orientuar drejt rezultateve për të promovuar përparimin në procesin e zgjidhjes. “Unë u bëj thirrje palëve të ndjekin angazhimet e Protokollit ‘Berlin-plus’ dhe të shqyrtojnë masat e reja të ndërtimit të besimit. Njerëzit në të dy anët kanë nevojë për më shumë rezultate’’, tha ambasadori Thomas Mayr-Harting. Bisedimet e formatit 5+2 përfshijnë palët e interesuara, Moldavinë dhe Transdniestrin, si dhe ndërmjetësit, OSBE, Federata Ruse dhe Ukraina dhe vëzhguesit, SHBA dhe BE