Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg nga gjykata për çështjen ‘Babalja’, pasi akuzohet për ‘Kallëzim të rremë’.

Sot është zbardhur arsyeja e vendimit të gjykatës për ish-deputetin Salianji.

“Salianji u përfshi në kallëzimin e rremë për interesin e tij politik dhe të Partisë Demokratike. Sipas Gjykatës Penale, Alber Veliu i njohur si Babalja dhe që u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, u akomodua në Selinë e Partisë Demokratike dhe më pas ka dhënë edhe intervistën.

Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ja ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës.” thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës Penale.

Ndër të tjera Gjykata shprehet se Veliu, Alizoti, Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë pasur komunikime të shpeshta para dhe pas veprës penale që kanë kryer. Sipas Gjykatës komunikimet e shpeshta që kanë bërë mes tyre nuk kanë asnjë shpjegim tjetër veçse përfshirjen në audiopërgjime, shekruan shqiptarja.com.

“Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës.”

Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.

“Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit te funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes.” thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.