Skandali i Babales u bë i njohur pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike, të një materiali të sajuar audio, ku një person i identifikuar si “bashkëpunëtori x”, fliste për një bashkëpunim të supozuar me vëllain e Ministrit të Brendshëm të kohës, për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Por, aktualisht për këtë dosje, janë hetuar dhe kanë marrë dënime për mashtrim ish deputeti i PD, Ervin Salianji, gazetari Jetmir Olldashi, Albert Veliun (Babalja) dhe Fredi Alizoti të cilët për llogari të “selisë blu”, organizuan të gjithë inskenimin.

Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, ka konstatuar se përveç përfitimit material i pandehuri Albert Veliu ka pasur si qëllim tjetër në kryerjen e veprës penale edhe atë të përfitimit të azilit politik për vete dhe familjarët e tij.

Sipas Gjykatës, rezulton e provuar që i pandehuri Albert Veliu ka konsumuar veprën penale që i atribuohet me veprime aktive të kundërligjshme e në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Fredi Alizoti, Ervin Salianji e Jetmir Olldashi, të cilat konsistojnë në planifikimin, pergatitjen, realizimin e nje audiopergjimi te rreme midis dy te pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, shpërndarjen e këtij audiopërgjimi dhe publikimin mediatik të tij duke i atribuar kryerjen e një vepre penale të rëndë shtetasit Geron (Agron) Xhafaj me qëllimin e inicimit të një procedimi penal ndaj tij dhe realizimin e përfitimeve materiale në vlera monetare për të pandehurit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti.

Regjistrimi i stimuluar i dorëzohet Salianjit

Nga provat rezulton se ky qëllim i të pandehurit Albert Veliu për azil politik për vete dhe familjarët e tij del qartë i provuar nga komunikimet e përgjimet telefonike gjatë kohës së kryerjes së veprës penale e pas saj,duke u ndihmuar në këtë qëllim edhe nga bashkëpandehuri tjetër Ervin Salianji, deputet në atë kohë i Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë. Ky qëllim i të pandehurit rezulton edhe nga veprimet e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale.

Nga aktet rezulton se i pandehuri Albert Veliu ka kërkuar strehim politik në Mbretërinë e Belgjikës, ku është kapur për efekte ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë. Nga ana e kësaj gjykate i është mundësuar të pandehurit Albert Veliu njoftimi për këtë procedim penal objekte gjykimi, por i pandehuri rezulton që t’i fshihet drejtësisë pavarësisht se ishte në dijeni të këtij procedimi penal.

Gjithashtu ka rezultuar e provuar që të dy të pandehurit e kanë regjistruar bisedën e simuluar, në muajin Janar të vitit 2018, në qytetin e Vlorës, tek një lokal që ndodhet përballë lokalit të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj.

Bisedën ata e kanë regjistruar tek një mjet regjistrues i tipit stilolaps dhe mbasi kanë ardhur në Tiranë, i pandehuri Albert Veliu i’a ka dorëzuar të pandehurit Ervin Salianji, i cili ishte dhe personi që i kishte dhënë këtë mjet

Deklarimet e dhëna në hetim të bashkëtëpandehurit Albert Veliu (subjekti iniciues dhe protagonist ne audiopërgjim, me precedente penale dhe i motivuar nga një ndjenjë qejfmbetje e dashakeqesie ndaj shtetasit Geron (Agron) Xhafaj të cilat vlerësohen me rezervë nga Gjykata për shkak të kontradiktoritetit të tyre në faktet e deklaruara me provat e tjera si me siper janë evidentuar, dhe deklarimet e të pandehurit Fredi Alizoti si në hetim e gjykim

e po kështu përmbajtja e bisedave sipas tabulateve telefonike për komunikimet e kryera midis të gjithë të pandehurve disa ditë para realizimit të audiopërgjimit, mungesa e çdo qëllimi tjetër të mundshëm që të shpjegojë komunikimet telefonike të shpeshta e zinxhir mes të pandehurve pergjate periudhes se realizimit te audiopergjimit e mbas tij, faktojnë e provojne bashkepunimin e te pandehurve ne kryerjen e kesaj vepre penale dhe se ne muajin Tetor të vitit 2017, i pandehuri Albert Veliu ka marrë paraprakisht takim me të pandehurin Ervin Salianji, që në atë kohë ishte në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike.

Audio-regjistrimi i manipuluar

Publikimi i “audio-regjistrimit” të manipuluar, është kryer në datën 14.05.2018 rreth orës 11:30, në një konferencë për shtyp, të organizuar në selinë e Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë, ku është publikuar një material audio, duke u pretenduar se në të paraqiteshin të dhëna mbi aktivitetin kriminal të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm të kohës).

Ky publikim është kryer nga i pandehuri Ervin Salianji atë kohë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, në një dalje për mediat së bashku me dëshmitarët Enkeled Alibeaj dhe Gazmend Bardhi.

Në materialin e fabrikuar dhe të publikuar është paraqitur regjistrimi ambjental dhe i transkriptuar i zërit të pandehurit Albert Veliu, gjatë kohës që ai ndodhej në një automjet duke stimuluar sikur po kryente një bisede telefonike me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj.

Në këtë material paraqitej regjistrimi ambiental i zërit dhe i transkriptuar, i një personi të cilësuar si “Bashkëpunëtori X”, i cili kryente një bisedë telefonike në një automjet në ecje, me një person tjetër supozuar si shtetasi Geron (Agron) Xhafaj.

Mandej, së bashku edhe me komentet me shkrim, vazhdohet me një regjistrim “audio” të një bisede ambientale që paraqitet si e zhvilluar midis personit të cilësuar “Bashkëpunëtori X” dhe shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, tek lokali i këtij të fundit në qytetin e Vlorës.

Në fund, materiali pasohet me një regjistrim “video” prej 6 sek, që tregonte pamje të një rruge, të regjistruara nga brendësia e një automjeti në lëvizje, shoqëruar me titrat “Bashkëpunëtori X” ndoqi rrugën e treguar nga Geron (Agron) Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhërat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë”, shkruan CNA. al, referuar vendimit të Gjykatës.

Në bisedat telefonike i pandehuri Fredi Alizoti shprehet i zhgënjyer nga i pandehuri Albert Veliu që nuk i ka dhënë paratë e pretenduara.

Në bisedat e zhvilluara me të pandehurin Albert Veliu, ky i fundit i kërkon të pandehurit Fredi Alizoti, që të “duronte” dhe pak sa të rregulloheshin punët.

Pavarësisht që bisedat ndër të tjera kanë patur kontekst çështjen e shpërblimit për punën e kryer, i pandehuri Albert Veliu nuk ka kundërshtuar të pandehurin Fredi Alizoti dhe për më tepër që e ka aprovuar në heshtje.

Nga analizimi i përgjimeve telefonike vihet re se i pandehuri Albert Veliu u “kërkon llogari” personave të tjerë për sistemimin e familjarëve të tij.

Salianji, ndërmjetës, mes Babales dhe gazetarit

Në vijim ka rezultuar e provuar dijenia, pjesëmarrja, kontributi dhe bashkëpunimi i të pandehurit Ervin Salianji me te pandehurit e tjerë ne kryerjen e vepres penale të atribuar, nga administrimi i Shkresës me nr.FRS/3803/ES, datë 11.10.2018, të shoqërisë telefonike Vodafone Albania sh.a, me anë të së cilës janë përcjellë tabulatet telefonike të numrit telefonik 0692085947, në përdorim të abonentit Ervin Salianji.

Tabulatet, sipas Gjykatës, janë tregues që faktojnë përfshirjen aktive te bashkëtëpandehurit tjetër Ervin Salianji në kryerjen e veprës penale në bashkëpunim me te pandehurin Albert Veliu, pasi tregojnë e vertetojnë veprimtarineëaktive të tij në përgatitjen e më tej fabrikimin e sajimin e provave te rreme, duke u angazhuar që disa dite para se të realizohej audiopërgjimi kompromentues i sajuar midis te pandehurve Albert Veliu e Fredi Alizoti, dhe se është pikërisht i pandehuri Ervin Salianji ai që ka realizuar kontaktin midis të pandehurve Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi.

Pikërisht veprimet aktive të të pandehurit Albert Veliu në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, e njëkohësisht të kundërligjshme lidhur me planifikimin, përgatitjen, realizimin e një audiopërgjimi të rremë midis dy të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, shpërndarjen e këtij audiopërgjimi dhe publikimin mediatik të tij duke i atribuar kryerjen e një vepre penale të rëndë shtetasit Geron (Agron) Xhafaj me qëllimin e inicimit të një procedimi penal ndaj tij dhe realizimin e përfitimeve monetare për të pandehurit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, e po kështu shfrytëzimin e këtij audiopërgjimi për realizimin e interesave politike për të pandehurin Ervin Salianji provojnë lidhjen e drejtpërdrejtë shkakësore të veprimeve të bashkërenduara të secilit prej të pandehurve me pasojën e ardhur në fillimin e një procedimi penal ligjërisht të pabazuar dhe të mbështetur në prova të sajuara e të rreme.

Më tej, Gjykata shprehet se është një fakt i provuar nga aktet provuese, veçanërisht nga përmbajtja e transkripteve të bisedave telefonike të sipërevidentuara midis të pandehurve, ku evidentohet dhe vërtetohet pjesëmarrja aktive e të pandehurit Albert Veliu në të gjithë veprimtarinë e kundërligjshme së bashku me të pandehurit e tjerë Fredi Alizoti, Ervin Salianji e Jetmir Olldashi lidhur me planifikimin e veprimeve të tyre në rend kronologjik e të mirëmenduar për realizimin e këtij audiopërgjimi nga përgatitja e kushteve, mjeteve, vendit, subjekteve e deri në mënyrën e publikimit mediatik të tij dhe servirjen si krim i rëndë i kryer nga shtetasi Geron(Agron) Xhafaj.

Referuar rrethanave të faktit, provave të administruara në hetim e gjykim, paraqitja e këtij kallëzimi nga i pandehuri bashkë me prova dokumentuese të sajuara prej tij, kanë vënë në lëvizje organin procedues për kryerjen e veprimeve hetimore dhe zbardhjen e çështjes (duke harxhuar burimet njerezore, vëmendjen, kapacitetet investiguese dhe mjetet e nevojshme që i shërbejnë kësaj Prokurorie të Posaçme për të hetuar me efektivitet e produktivitet veprimtaritë konkrete kriminale dhe jo ato të sajuara), por që nga verifikimet dhe veprimet hetimore të kryera mbi bazën iniciuese të këtij kallëzimi, ka rezultuar se faktet e referuara prej të pandehurit nuk i pergjigjen të vërtetës dhe janë kryer prej tij për të filluar ndjekje penale ndaj shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, për qëllime fitimi shumash të caktuara monetare.

Gjykata: Saliani kishte premtuar shuma monetare

Nga ana subjektive kjo vepër penale është kryer nga i pandehuri Albert Veliu në bashkëpunim me bashkëtëpandehurit e tjerë Fredi Alizoti, Ervin Salianji e Jetmir Olldashi me faj, në formën e dashjes direkte, me qëllimin e posaçëm për të shkaktuar fillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, i shtyrë nga motive të dobëta (për të përfituar shuma monetare te premtuara nga i bashkëpandehuri tjeter Ervin Salianji), veprime këto që kanë një lidhje të drejtëpërdrejtë shkakësore me pasojën e dëshiruar prej të pandehurit, çka e bën të qartë se ky i fundit i ka parashikuar pasojat e veprimeve të tij (kallëzimin e rremë në organin procedues dhe inicimin e proçedimit penal ndaj shtetasit të kallëzuar Geron (Agron) Xhafaj) dhe njëkohësisht ka dëshiruar ardhjen e këtyre pasojave (neni 15 i K.Penal), me qellimin e posacem per te demtuar te drejtat e lirite e tij, reputacioni e tij publik dhe imazhin e reputacionin e vellait te tij ish-ministrit te brendshem ne kohen kur dhe eshte bere publik ky kallezim i rreme.

Në rastin konkret, te pandehurit kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin nepermjet marreveshjes paraprake te tyre per castin e volitshem dhe menyren e kryerjes së veprës penale si dhe ndarjen e roleve në këtë bashkëpunim Albert Veliu dhe Ervin Salianji bashkeorganizatoëe, e njëkohësisht i pari edhe ekzekutorë e dy të pandehurit e tjerë njeri ekzekutor Fredi Alizoti dhe tjetri Jetmir Olldashi ndihmës (të katërt kanë kryer veprime aktive në realizimin e audiopërgjimit kompromentues të rremë me qëllim adresimin mediatikisht e publikisht të një kallëzimi të rremë për kryerjen e një krimi që nuk ështe kryer ndaj një shtetasi shqiptar.