Shqiptarët janë shquar për dashurinë e tyre ndaj pijes dhe këtë e tregon edhe tradita që ende vijon për prodhimin e verës dhe rakisë së shtëpisë. Megjithatë, shifrat na tregojnë se dibranët janë “më pijedashësit” e vendit. Sipas të dhënave të Anketës së Buxhetit të Familjeve, në vitin 2018 ata rritën peshën e shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan në 6% të totalit të shpenzimeve të tyre. Një vit më parë, po sipas kësaj ankete, shpenzimet për këtë kategori në qarkun e Dibrës zinin rreth 5.4% e totalit të shpenzimeve. Krahasuar me mesataren e vendit, pesha e shpenzimeve të tyre për pije dhe duhan ishte thuajse dyfish më e lartë. INSTAT raporton se mesatarisht një familje në Shqipëri rreth 3.5% të totalit të shpenzimeve të tyre ia dedikon këtij zëri.
Në vend të dytë, renditet qarku i Elbasanit, të cilët gjithashtu gjatë vitit 2018 rritën shpenzimet për pijet alkoolike dhe duhan që ishin sa 5.2% e totalit të shpenzimeve nga 4.9% që ishte një vit më parë. Pas tij renditet qarku i beratit dhe Lezhës me 4.8% të totalit. Por, në krahasim me një vit më parë duket se lezhjanët kanë shtrënguar dorën për sa i përket shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan, të cilët shpenzonin një vit më parë 5.7% të totalit të tyre.
Kukësi dhe Korça, të dy këto qarqe, kishin gjithashtu shpenzime më të larta se mesatarja e vendit me përkatësisht 4.4% të totalit dhe 3.8%.
Nga ana tjetër qarku me shpenzimet më të ulëta për këtë kategori, renditet Vlora, ku sipas të dhënave të INSTAT kanë ulur shpenzimet për pije dhe duhan në masën prej 2% të totalit, nga 2.25 që ishin në vitin e kaluar.
Nuk është aspak çudi që edhe qarku i Gjirokastrës ka shënuar gjithashtu shpenzime të ulëta, prej vetëm 2.2% të totalit. Por, kjo nuk do të thotë që konsumojnë më pak pije alkoolike, pasi shpenzimet në anketë nuk përfshijnë konsumin e qytetarëve nga prodhimi artizanal i verës dhe rakisë.
Po ashtu shpenzime relativisht të ulëta janë regjistruar edhe në Durrës dhe Shkodër, ku sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, shpenzimet ishin përkatësisht 2.4 dhe 2.7%.
Ndërsa me një diferencë të ulët me mesataren e vendit renditet qarku i Fierit dhe Tiranës, ku mesatarisht janë shpenzuar për pijet alkoolike dhe Duhanin 3.2 dhe 3.3% e totalit të shpenzimeve të familjeve në këto qarqe. /Monitor/