Zoran Millanoviç, lideri i Partisë Social-Demokrate në Kroaci, është duke udhëhequr në garën presidenciale të zhvilluar të dielën, në krahasim me rivalen e tij, presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, bazuar në sondazhe.
Sipas të dhënave të fundit, Millanoviç ka fituar 53 për qind të votave, për dallim nga Grabar-Kitaroviç me afër 47 për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Në rast se konfirmohet, ky rezultat do të përbënte shqetësim për konservatorët që tani janë në pushtet, derisa Kroacia udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian, dhe gjendet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më vonë gjatë viti.
Millanoviç ka falënderuar mbështetësit dhe vullentarët e fushatës së tij, pasi ka shpallur fitoren:
“Faleminderit të gjithë vullnetarëve, të gjithë juve që më keni mbështetur në gjashtë muajt e fundit. Faleminderit”, ka thënë ai.
Roli i presidentit në Kroaci konsiderohet tejet ceremonial. Kreu i shtetit nuk mund t’iu vë veto ligjeve, mirëpo ka fuqi në politikën e jashtme, në mbrojtje dhe aspektin e sigurisë.
Millanoviç, i cili ka shërbyer si kryeministër në periudhën 2011-2015, ka nisur fushatën me premtimin për luftim të korrupsionit, i cili sipas tij është rritur shumë prej kur ka humbur pushtetin./REL