Mesfushori spanjoll Dani Olmo e ka kompletuar transferimin e tij në Leipzig nga Dinamo Zagrebi për 20 milionë euro. 21-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare me klubin gjerman, ndërsa çmimi i tij përfundimtar mund ta arrijë vlerën prej 25 milionë eurove, nëse arrihen të gjitha synimet e parapara në bonuse. Olmo nuk do të jetë i përfshirë në skuadrën e Leipzigut për përballjen me Eintracht Frankfurtin të shtunën, mirëpo do t’u bashkohet kolegëve të tij të rinj në seancë stërvitore të së hënës. Spanjolli bëri karrierë pasi doli nga akademia e Barcelonës, La Masia, para se të transferohej në Kroaci në vitin 2014 dhe ishte i përfolur shumë edhe për një kthim të mundshëm në Camp Nou këtë muaj.

Manchester Unitedi, Chelsea dhe Milani ishin interesuar gjithashtu për Olmon, mirëpo në fund ai zgjodhi ta vazhdojë karrierën e tij në Bundesligë me liderin aktual të ligës. Trajneri i Dinamos, Nenad Bjelica, kishte thënë këtë javë, para zyrtarizmit të transferimit: “Sipas mendimin tim, ai është klubi më i mirë për të për t’u zhvilluar si lojtar”. Olmo i ka bërë gjithsej 22 paraqitje këtë sezon për Dinamo Zagrebin (nëntë në ligën kroate HNL, gjashtë në Ligën e Kampionëve, pesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe dy në kupën kroate). Ai ka kontribuar në këto ndeshje me tetë gola dhe shtatë asiste, prej të cilave më së shumti mori famë me dy golat dhe asistin në Ligën e Kampionëve.