Në Pallatin e Brigadave është zhvilluar ceremonia e 100-vjetorit të Tiranës, ku të pranishëm ishin qytetarë dhe personalitete që kanë kontribuar në të mirë të vendit dhe kryeqytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri thirrje që të gjithë të bëhen bashkë për të mirën e vendit për të ecur përpara, ashtu si në epokën e Skënderbeut, shpalljes së pavarësisë dhe Kongresit të Lushnjes.
“Ahengu, e bukura dhe pasioni, janë tre gjërat ku mbështetet filozofia e Tiranës. Tirana na do të gjithëve njëlloj. Kur mbështesim njëri tjetrin nxjerrim më të mirën nga zemra jonë. Po kur e japim më të mirën tonë? Edhe ne e japim kur jemi të gjithë bashkë, shikoni epokën e Skënderbeut, të pavarësisë, Kongresi i Lushnjes. Kujtoj luftën e dytë botërore, është i vetmi kryeqytet që u çlirua pa ndihmën e të huajve, kujtoni 1990, në këtë sallë ka qenë takimi i studentëve me regjimin. E kujtoj që kjo bashki, u transformua në 2000-2011.
Sot duhet të luftojmë kioskat e tjera, aty ku kemi inatet, mëritë dhe dogmat. Ringritje me cdo kush dhe çmim pas tërmetit. Jemi duke përgatitur 9 lagje të reja, që shekulli i ri të na gjejë më të fortë. Edhe sot këtu jemi bashkë, të majtë të djathtë. Lutja ime është të jemi bashkë si tani edhe jashtë mureve. Ne shpresojmë që të kuptojmë historinë tonë, rrugën që na ka sjellë. Metafora më e bukur e Tiranës është familja jonë e shenjtë. Tirana ka kaluar 130 kombësi të huaja, duke e bërë kozmopolitan, ndërsa ka kaluar mbi 1 milion banorë” tha Veliaj.