Alfred Peza
Një nga shqetësimet më të mëdha brenda grupimit të përkrahësve të Presidentit i Republikës dhe LSI që ka dalë hapur në krah të tij për “besëlidhjen” e 2 marsit, duket se lidhet me frikën se mos Lulzim Basha dhe aleatët e tij, ua kanë me hile. Duke mos u premtuar publikisht pjesëmarrjen e tyre si liderë partish opozitare në tubim dhe duke mos ua kërkuar me detyrim strukturave të tyre partiake që të marin pjesë masive në bulevard, frika është se kjo do të lexohet më pas, si dështim i Ilir Metës.
Ajo që kuptohet çdo ditë e më qartë, është se Lulzim Basha, ka një qasje krejt tjetër opozitare nga ajo e Ilir Metës. I pari është për vijimin e tryezës së reformës elektorale, ndjekjen e rrugës së komunikimit me qytetarët dhe mbi të gjitha për gjetjen e zgjidhjeve demokratike të cilat duhet të vijnë përmes “zgjedhjeve të lira e të ndershme”. Ndërsa Ilir Meta, është duke ravijëzuar prej më shumë se një viti, profilin e një lideri nacionalist, që kërkon rrugëzgjidhje politike për vendin, përmes qëndrimeve ek streme dhe rad ikale.
Ndryshe nga Lulzim Basha, për të justifikuar këtë qasje, ai ka kohë që mundohet të krijojë alibinë qesharake se Edi Rama është duke i bërë “grusht shteti” vetes. Për ta bërë sa më të besueshme këtë “skenar”, Ilir Meta i mëshon idesë se nga ky akt i Kryeministrit jemi përpara vënies në diskutim të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe interesave tona kombëtare, nga bashkëpunimi i tij edhe me armiqtë e jashtëm.
“Me rrë mbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi “de facto” i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare”,- tha Meta. Në këto kushte, sipas tij qeveria aktuale e Shqipërisë nuk qenka gjë tjetër, veçse një “organizatë m afioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kri minale me përfitime të jashtëzakonshme.”
Qëndrimet publike të Ilir Metës janë gjithnjë e më pranë, e deri në sinkron e në koherencë të plotë me ato të Sali Berishës, i cili vijon ti mëshojë idesë së “revolucionit popullor” si e vetmja mënyrë për të rrëzuar Kryeministrin Edi Rama. Interesantja është se “lideri historik” i PD është sot më pranë qëndrimeve të Presidentit të Republikës, sesa atyre të pasardhësit të tij në krye të PD, Lulzim Basha.
Sa më shumë që i afrohemi 2 marsit, aq më tepër Ilir Meta, LSI e Sali Berisha duken si dy anët e së njëjtës medalje politike. Ndërkohë që qëndrimet e tyre, janë çdo ditë e më tepër, në kontrast të thellë me ato të Lulzim Basësh dhe aleatëve të tjerë tradicionalë të PD në “Opozitën e Bashkuar”. Në këto kushte, partia e re e Ilir Metës duket sikur do të ketë si simbolin e vet më përfaqësues, imazhin e vjetër të Sali Berishës.
Skena politike shqiptare aktualisht është katër polare. PS në mazhorancë. Ndërsa në opozitë kemi tri pole: Ilir Meta + Sali Berisha + LSI nga njëra anë. Lulzim Basha me PD dhe aleatët e tyre tradicionalë në anën tjetër. Dhe poli i fundit, është ai i opozitës së re parlamentare, që vazhdon të jetë një faktor jo i vogël i vendimarrjeve të rëndësishme në tryezën e reformës elektorale dhe sallën e Kuvendit.
PS e Edi Ramës dhe PD e Lulzim Bashës janë simetrike përballë njëra tjetrës, si parti postideologjike, me platform e programe të qarta në sistemin politik të vendit. Rokada e madhe po ndodh mes polit të ri që po krijon Ilir Meta dhe polit të katërt. Nga ish Kryetari i partisë pragmatiste LSI, që shkonte andej ku shkonte pushteti dhe përfitimet që vinin prej tij, Ilir Meta është drejt krijimit të një partie me tipare ek stremiste, nacionaliste, sovraniste dhe revolucionare. Poli i opozitës së re parlamentare ka marë në dorë flamurin e pragmatizmit politik, duke formësuar një tipar që deri dje ka patur sukses në skenën politike shqiptare përmes LSI, nga zgjedhjet e 2005 e deri në ato të 2017.
Në këto 30 vjet ne kemi patur 2 parti “historike” e “tradicionale”; PS e PD që kanë përfaqësuar të majtën dhe të djathtën shqiptare. Deri dje një parti “pragmatiste”, vendin e së cilës pritet ta zerë formacioni i ri politik që mund të krijohet nga opozita e re e Parlamentit. Por, kurrë nuk kemi patur një parti me tiparet që Ilir Meta e Sali Berisha kërkojnë tia veshin partisë së re që mund të krijohet pas 2 marsit.
A do të ketë sukses? Kjo mbetet për tu parë. Në Ballkan partitë nacionaliste e sovraniste kanë dështuar. E sigurtë është se shqiptarët i kanë provuar të paktën një herë në historinë e tyre, partitë “revolucionare” me qasje “in extremis”. Ndaj, nuk besohet se i ka marë sërish malli, për tu ballafaquar me to!