Presidenti Meta ofroi shfaqjen e radhës para para publikut, të diskutueshme jo politikisht, por psiqikisht. Kujtojmë që emri i tij në politikë identifikohet vetëm me përplasje e kriza politike, por gjithsesi asnjë prej të kaluarave nuk ka patur tiparet e kësaj aktuale në personin e tij.
Prej gati një viti, paralel me aksionin kontravers të opozitës PD-LSI me djegie mandatesh, Meta, në rolin e kreut të shtetit vijon të le gojëhapur çdo njeri normal me sjelljet e deklaratat e tij. Eshtë pak të thuash se ato nuk kanë agjë presidenciale, ndërkohë që janë tejet klinike.
Më 2 mars, duke zgjedhur kësijoj një datë historike për t’u vetënjesuar me Skënderbeun – data e Kuvendit të Lezhës – ai ka paralajmëruar se do bëjë një besëlidhje me popullin. Pra, si Skënderbeu me princat kundër osmanëve. Kjo, pasi Presidencën e ka vetëshpallur dhe si “kështjellë të pamposhtur” në mbrojtje të Kushtetutës.
Thotë se atë ditë populli do vendos e ai do dekretojë – me gjasë shpërndarjen e parlamentit – pra atë që nuk u arrit dot me djegien e mandateve, e që nuk ka asnjë dyshim si një skenar i gatuar dhe në zyrat e Presidencës. Do kemi kështu një “30 qershor nr.2” në marrëzi anti-kushtetuese.
Por duke mbetur te populli, duhet të jesh vërtet në “gjendje të rëndë” sa të mos arrish të lexosh atë çfarë ndodhi në një vit me PD-LSI, që, krerët e saj, çifti Basha-Kryemadhi, edhe pse s’rreshtnin së thëni patetikisht se “ky ishte bashkimi më i madh i shqiptarëve(!)”, dështimin më të madh, shuplakën më të madhe e patën pikërisht aty.
Sepse ata, më shumë s’duan ta pranojnë se s’mundet ta kuptojnë, që pagëlltitshmëria e njerëzve ndaj tyre e tejkalon zhgënjimin nga Rama. Këtë gjë po tenton ta provojë dhe Meta, ndonëse është lehtësisht e lexueshme se ç’rezultat do ketë në terren. Në gjithë karrierën e tij politike, ai ka mundur të produktojë vetëm atë që i vjen për shtat karakterit të tij, llojit të tij politik – klientelizmin.
LSI është mishërim i klientelizmin. Nëse do kërkosh arsye se pse dikush duhet të joshet nga ky akronim veç atij të një llogarie – thënë ndryshe të një vendi pune – nuk do mundet të gjesh. Si Meta e si bashkëshortja e tij, znj. Kyemadhi, nuk kanë lindur e as janë gatuar për të qenë frymëzues, tërheqës, aq më pak bindës.
Në këtë pikë, as dje e as sot, as nuk kanë patur ç’të japin e as nuk mundet të japin dot. Eshtë prerjeje në mos qoftë çështjeje zgjedhjeje. Në këtë pikë janë të lehtë për t’u përkufizuar: Ç’është Meta? Krijuesi i LSI-së! Ç’është Kryemadhi? Bashkëshortja e Metës! Tej tyre, në personin e tyre nuk ka asgjë….veç befasive tw natyrës psiqike.