Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas publikimit në media të lajmit se dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha po ndërton një kompleks pallatesh me vlerë 20 mln euro në mjediset e kompleksit sportiv “Partizani”. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, numri dy i PS, Balla thekson se ai që mendon se akuzat për korrupsion gjatë kohës në opozitë në vitin 2012 i kam patur vetëm pjesë të retorikës politike, e ka shumë gabim. E vërteta vonon, por nuk harron!
Sipas tij, Drejtësia e re duhet ta hetojë plotësisht!
Postimi i plotë i Taulant Ballës: Me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës merr 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë Eurosh, shtatë vite pasi qeveria e Sali Berishës i “falte” fushat e futbollit të kompleksit “Partizani” në qendër të Tiranës. Kush mendon se akuzat për korrupsion gjatë kohës në opozitë i kam patur vetëm pjesë të retorikës politike, e ka shumë gabim. E vërteta vonon, por nuk harron!
Drejtësia e re duhet ta hetojë plotësisht! Në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. E kam denoncuar këtë akt të të rëndë korruptiv në atë kohë për shumë ditë me radhë, duke publikuar të gjithë dokumentacionin. Madje mu desh të përballem me salinjtë edhe ne Gjykatë për këtë dosje korruptive.
Prej dy ditësh mediat kanë publikuar dokumenta të reja që tashmë konfirmojnë se bashkëshorti i vajzës së Sali Berishës zotëron tashmë 35% të gjithë kompleksit të pallateve të ndërtuar mbi fushat e futbollit.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, me kontribut 35 mijë lekë. Por sipas dokumentave të publikuara nga media “familjari i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ai nuk e ka regjistruar kontratën në QKB, për të qëndruar i fshehur si ndërtues”… “Kompania “Homeplan” në bashkëpunim me “Kontakt” kanë aplikuar për një leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish Kompleksit Partizani, pas Inxhinierisë së Ndërtimit. Leja zhvillimore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës në 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi”.