Nga Mero Baze
Pesë partitë e vogla opozitare në koalicion me Partinë Demokratike, kanë bërë një propozim interesant për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Formuluesi i saj është Dashamir Shehi. Formula synon shmangien e formulës aktuale të llogaritjes së votave brenda koalicionit dhe respektimin më shumë të partive të vogla, votat e të cilave, digjen në funksion të partisë së dytë më të madhe brenda koalicionit.
Propozimi synon që ligji, përveç “Koalicionit”, të njohë dhe “Grupimin politik” si formacion elektoral. Kjo nënkupton që brenda koalicionit të madh, të majtë apo të djathtë, disa parti të vogla, më shumë se dy, të kenë të drejtë të krijojnë një grupim politik, që votat e tyre të numërohen bashkë, dhe jo ndarazi.
Për ta bërë më të kuptueshme, është fjala që pasi koalicioni ka marrë votat e veta, ndarja e votave brenda tij, të bëhet duke marrë partia e parë votat e saj, partia e dytë votat e saj, kurse grupimi politik të llogarisë votat si një parti e tretë e vetme. Ata pastaj brenda grupimit politik ja japin deputetin, partisë që ka marrë më shumë në atë zonë elektorale.
Kjo formulë demokratizon ndarjen e mandateve brenda një koalicioni të madh, pasi u mundëson partive të vogla, që nuk arrijnë dot vota për një deputet brenda një qarku, të ndihmojnë njëra- tjetrën për të marrë një deputet, duke ja dhënë atë, asaj partie që del e para brenda këtij grupimi politik, pra brenda kësaj minigare.
Kjo formulë ndihmon të ketë një ndarje më të drejtë të mandateve brenda koalicionit, dhe i heq privilegjet partisë së dytë të koalicionit, që shpesh përfiton shumicën e votave që digjen nga dhjetëra parti të vogla.
E përkthyer në koalicionin opozitar, nga i cili vjen ky propozim, ky është praktikisht një instrument “Anti LSI” në opozitë.
Partitë e vogla druhen se nuk do të mundin të kapin dot një deputet secila më vete, dhe duan të bashkohen që votat e tyre të mos i marrë LSI, por të llogariten si një parti më vete.
Kjo natyrisht që do të ketë një rezistencë nga LSI dhe ndoshta dhe nga PD.
Partia Demokratike duhet të llogarisë mirë nëse i intereson të zgjedhë mes tyre dhe LSI-së. Dëmi elektoral është praktikisht i barabartë. Partitë e vogla, edhe pse duken të vogla, kanë rrreth 70 mijë deri 100 mijë vota të shkuara dëm.
Politikisht PD dëmtohet më shumë nëse ndahet nga LSI, pasi krijon pesimizëm në elektorat për një fitore të mundshme, nëse ndahen para zgjedhjeve.
Por nga ana tjetër dhe divorci me partitë e vogla, është po kaq i rrezikshëm, pasi ato janë vagonat që mbushin trenin elektoral.
Nga e majta, situata është më e pastër, pasi nuk ka një parti të dytë të rëndësishme si LSI, dhe gjithë partitë e vogla, janë me të njëjtën peshë. Kështu që propozimi vlen aktualisht, vetëm si debat për koaliconin e djathtë,
Në këtë pikë propozimi i Shehit, është racional sa i përket drejtësisë në ndarjen e votave, por shumë problematik në aspektin politik.
Realisht nuk ka më rëndësi, nëse do zgjedhësh LSI apo grupimin politik për të marrë nje qëndrim ndaj Kodit Zgjedhor. Në çdo rast ke zgjedhur sherrin.