Drejtori sportiv i Barcelonës, Eric Abidal, ka thënë se klubi nuk i bëri asnjë ofertë formale Xavi Hernandezit për ta marrë postin e trajnerit të klubit katalonas, që tani e ka marrë Quique Setien pas shkarkimit të Ernesto Valverdes. Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës Xavi, i cili tani është trajner i Al-Saddit në Katar, raportohej se ishte zgjedhja e parë e Barcelonës për ta zëvendësuar Ernesto Valverdes, i cili u shkarkua nga detyra e tij në janar;
Barcelona më vonë e emëroi ish-trajnerin e Real Betisit, Quique Setienin, në këtë post, pasi që, siç ka thënë vetë Xavi, ai e refuzoi ofertën e Barcelonës. “Pata një ofertë nga Barcelona, ku u kontaktova nga Eric Abidal dhe Oscar Gray, por nuk e pranova atë. Motivi për mua është i thjeshtë. Nuk jam ende gati për të drejtuar një klub të madh si Barcelona, por kjo do të jetë ëndrra ime për të ardhmen”, tha Xavi.
“Për gjithçka ndodhi ato ditë kam kontaktuar edhe me familjen time dhe më pas kam mbajtur kontakte edhe me skuadrën time të Al-Sadd. Lojtarët dinin gjithçka dhe më shihnin të dyzuar. Për 3 ditë nuk kam qenë në pozita të lehta, përkundrazi. Gjithsesi, tani gjithçka kaloi dhe jam përqendruar te skuadra ime”. Por, Abidal mohon t’i ketë bërë Barcelona ofertë Xavit, përkundër që e pranoi se dy palët u takuan ato ditë.
“Nuk kishte asnjë ofertë. Nëse ai e mori një ofertë, atëherë le ta tregojë sepse unë s’e kam parë”, ka thënë Abidal, në një intervistë të dhënë për Sport. “Në takimin e parë që ne e patëm, Xavi na dëgjoi dhe, në të dytën, ai na e tregoi planin e vet. Ajo që doli në media ishte më shumë politikë sesa sport. Unë s’merrem me politikë, flas vetëm për futboll”. “Ajo që më intereson është mënyra se si punon një trajner shumë gjëra dolën në media, përveç asaj që ne e folëm në të vërtetë”.