Merkatoja e dimrit sapo është mbyllur, por ka klube që kanë nisur tashmë të mendojnë edhe për atë të verës. Drejtuesit po planifikojnë lëvizjet në funksion të sezonit të ardhshëm, gjë që vlen edhe për Barcelonën. Drejtori sportiv i klubit Blaugrana, Eric Abidal, duke folur për “Mundo Deportivo”, ka zbuluar se cili është plani i tyre: “Planifikimi i pjesës sportive ka shumë rëndësi. Me De Jong parashikuam merkaton, e morëm shumë kohë para verës. Shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë përsëri”.
Ndër emrat e përfolur prej kohësh te Barcelona është Lautaro Martinez. Abidal sqaron: “Deri më tani nuk kam asnjë ide për buxhetin në dispozicion. Thjesht duhet të bëj punën time, të parashikoj vendimet, të jem i vetëdijshëm për atë që po ndodh në klube të tjera dhe të përpiqem të bind lojtarët e dëshiruar. Kjo është ajo që duhet të bëj tani. Nëse më pas më thonë se nga këndvështrimi financiar mund të bëhet, ne do ta bëjmë atë, përndryshe do të përpiqemi të marrim dikë tjetër”.
Abidal nuk e fshehu faktin se i pëlqen profili i argjentinasit të Interit: “Po, por ka edhe të tjerë që më pëlqejnë. Në rolin e tij, Lautaro është tani në mesin e pesë, ose gjashtë më të fortëve në botë”. Drejtori sportiv i Barcelonës u ndal tek ardhja e mundshme e Lautaro Martinez, por edhe rikthimi i Neymar: “Kjo varet nga planifikimi, pasaportat, gjërat e ndryshme. Ajo që ka rëndësi është aspekti sportiv. Qëllimi është të kemi një ekip më të fortë verën e ardhshme, për t’i arritur qëllimet tona. Të kesh lojtarë të talentuar si Lautaro dhe Neymar do të ishte mirë për klubin”. Abidal nuk i sheh ardhjet e mundshme të Lautaro Martinez dhe Neymar si operacione të pamundura: “Jo, asgjë nuk është e pamundur. Ne do të përpiqemi të punojmë për to, nëse do të jetë e mundur. Përndryshe do të shohim dikë tjetër”.