“Javën e ardhshme, ligji për administrimin e pasurive sekuestruara e të konfiskuara do shqyrtohet në Kuvend”, tha sot deputetja e PS-së Blerina Gjylameti. Gjylameti tha sot se “në Komisioni i Ekonomisë dhe Financave u diskutua projektligji i ri për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara. Ligji iu nënshtrua shqyrtimit nen për nen në mënyrë të përshpejtuar për të kaluar javën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë”.
Po ashtu Gjylameti shtoi se “projektligji synon trajtimin dhe administrimin e atyre pasurive të sekuestruara nga organet administrative. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të jetë ajo që do të marrë në ngarkim edhe provat materiale, përveç pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrativë”. “E rëndësishme të theksohet është pika që ngarkon agjencinë për administrimin e pasurive të vendosë masat e sekuestros dhe konfiskimit sipas aktit normativ nr. 1 anti KÇK”, tha ajo.