Agjenti i Gianluigi Buffonit, Silvano Martina, ka thënë se portieri legjendar do të ulet me përfaqësuesit e Juventusit në fund të marsit për ta diskutuar mundësinë e rinovimit të kontratës së tij me bardhezinjtë. Portieri veteran italian u kthye në Torino pas një viti me Paris Saint-Germainin në Francë dhe këtë sezon ka qenë opsioni i dytë për pozitën e portierit të Juventusit, pas Wojciech Szczesnyt, transmeton Gazeta Express.

“Nuk e di se çfarë do të bëjë ai. Mendoj se as ai nuk e di. Ne do të takohemi me klubin në fund të marsit dhe do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Martina për Tuttusport. “Ai është i lumtur, është 42-vjeçar. Kur e shoh atë në formë aq të mirë dhe aq të shëndetshëm, e kuptoj se sa shumë është kujdesur për veten”. “Ai kishte thënë shumë herë se do të donte të pensionohet kur t’i mbushë 32 vjeç dhe unë vetëm i thosha të priste për kur të bëhej aq i moshuar”.

“Ai e pati një sezon të bukur në Paris, Fabio Paratici shkonte shpesh për t’i parë ndeshjet e tij. Ai kishte pasur shumë oferta, por kur e fitoi Juventusi… ky ishte opsioni më i mirë për familjen e tij”. Buffoni ka luajtur në shtatë ndeshje të Serisë A që kur është kthyer, duke e mbajtur portën e paprekur vetëm një herë.