Ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba, nuk do ta refuzonte mundësinë për t’u kthyer në Juventus gjatë sezonit të ardhshëm, sipas agjentit të futbollistit francez, Mino Raiola. Mesfushori 26-vjeçar për momentin është ende duke u shëruar nga lëndimi i tij në kyçin e këmbës, që e ka mbajtur që disa muaj jashtë fushës së lojës. Pogba u kthye në Manchester United, ku kishte luajtur si i ri, nga Juventusi në vitin 2016 për një çmim që në atë kohë e bëri francezin lojtarin më të shtrenjtë në histori. Që nga atëherë, ai s’ka arritur të tregojë formë po aq të mirë sa në Itali.

Ai ka kontratë me klubin anglez deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe kjo ka bërë që spekulimet për të ardhmen e tij të shtohen edhe më shumë, shkaku i deklaratave të vazhdueshme të Raiolas, i cili së fundi e pranoi se Juventusi është njëri ndër preferencat e Pogbas. “Italia është si shtëpi për Paulin. Atij s’do t’i pengonte kthimi në Juventus, por ne do ta shohim se çfarë do të ndodhë pas Kampionatit Evropian”, ka thënë Raiola, pas barazimit të Juventusit 1:1 me Milanin. “Pauli dëshiron të luajë në nivelin më të lartë të futbollit, mirëpo ai s’mund t’i ikë Manchester Unitedit nëse ata janë në situatë të vështirë”.

Edhe Pogba e edhe Raiola kishin qenë në qendër të vëmendjes gjatë verës së kaluar, për deklaratat se Pogba e dëshironte një sfidë të re, mes spekulimeve të vazhdueshme për një transferim në Real Madrid.