Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, vizitoi javën e shkuar qytetin e Durrësit, për të shprehur solidaritetin e saj për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për të parë se si ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara po kontribuon në përgjigjen pas tërmetit Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim vizitoi edhe një prej Hapësirave Miqësore për Fëmijët në Manzë e ngritur nga UNICEF Albania falë mbështetjes bujare nga USAID/Albania.

Gjatë vizitës, Ambasadorja Kim u takua me fëmijë dhe u njoh nga afër me punën e UNICEF, gjatë dhe pas emergjencës kryesisht në mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve. Ajo shpërndau dhurata për fëmijët dhe vëzhgoi se si UNICEF po përdor financimin e USAID për të ndihmuar fëmijët që kanë nevojë për mbështetje pas tërmetit.

Ambasadorja gjithashtu gjatë vizitës së saj i dorëzoi Kryqit të Kuq Shqiptar një Certifikatë Vlerësimi për punën profesionale dhe efikase, duke ndihmuar viktimat e tërmetit me mbështetje financiare nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Pas prezantimit, Ambasadorja Kim, së bashku me Zv. Ministren Rovena Voda vizituan Qendrën Operacionale të Krizave.