Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka sqaruar për herë të parë se çfarë është paketa “Anti KÇK” që po zbatohet nga “Operacioni Forca e Ligjit” dhe çfarë synon të arrijë. Në emisionin “Open” në Top Channel, Lleshaj theksoi se antiKÇK-ja nuk synon procedimin penal të personave të listuar, por është një proces administrativ.
“Ky nuk është procedim penal. Bëhet fjalë vetëm për një proces administrativ që synon të sqarojë pasurinë e këtyre njerëzve”, u shpreh Lleshaj. Sa i përket emrave të cilëve u është dërguar për plotësim formulari i pasurisë, Lleshaj theksoi se nuk ka informacion për mënyrën se si janë zgjedhur personat, por autoritetet janë bazuar te dënimet e dhëna ndaj tyre.