Një konferencë shkencore për krimet mjedisore dhe sigurinë kombëtare u mbajt sot në Tiranë ku u adresuan problematikat kryesore në këtë fushë. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se në këtë fushë Policia ka bërë hapa konkretë duke arrestuar shumë persona apo duke marrë edhe masa parandaluese. Po ai shpreh nevojën për të patur një qasje të re ndaj krimeve mjedisore, si në legjislacion ashtu edhe në funksionet dhe strukturat e agjencive ligjzbatuese. Po ashtu Veliu thotë se duhet të rritet cilësia e hetimeve sa i përket veprave penale për krimin mjedisor.

Pjesë nga fjala e Ardi Veliut: Shqetësimet për krimet mjedisore dhe sigurinë mjedisore në tërësi janë sot shqetësimet më të mprehta në shkallë globale. Njerëzimi ndodhet përballë kërcënimeve serioze klimatike dhe mjedisore të patrajtuara gjerësisht më parë. Është kjo arsyeja që institucionet shtetërore dhe çdo qytetar të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit. Policisë i lind detyra të shtojë masat për parandalimin dhe hetimin e krimeve mjedisore.

Janë të shumta krimet mjedisore për të cilat nevojitet një qasje e re. Kjo qasje lidhet sa me përmirësimet ligjore që trajtojnë veprat penale që lidhen me cenimin e mjedisit, aq edhe me funksionet dhe strukturat e agjencive ligjzbatuese, të cilat duhet të parandalojnë e të frenojnë këto akte kriminale ndaj mjedisit. Që të arrihet suksesi në punën e të gjitha agjencive ligjzbatuese, por edhe në sferën e ligjbërjes, nevojitet trajtimi sa më i saktë dhe sa më informues i problematikave mjedisore. Kontributi më i mirë në këtë drejtim, padyshim që vjen përmes arsimit dhe kërkimit shkencor.

Organizimi i kësaj konference nga Qendra e Kërkimeve Shkencore e Akademisë së Sigurisë dëshmon se sa i nevojshëm është arsimimi cilësor policor dhe kërkimi shkencor në polici.