Nga Ardit Rada

Partia Demokratike e ka nisur këtë vit me një qasje tjetër. Sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ajo po i mban me gajret njerëzit pranë saj herë me përrallën një marrëveshjeje të re Basha-Rama, e herë duke u mbajtur trastat me domate rrugëve të Tiranës. Teksa ka lënë Petrit Vasilin që të organizojë deklaratat për kamerat me gjuhën e tij të shthurur, PD ka shfaqur krejt papritur një interes dhe besim tek organet e reja të Reformës në Drejtësi. Ajo ka dubluar një segment të shoqërisë civile, si në rastin e studentëve, Teatrit apo “Astirit”. Tashmë është fakt se opozita joparlamentare shkon të ngrohet me zjarrin e te tjerëve. Më pas, dihet që krahas kompromentimit të rasteve në fjalë, e fik zjarrin dhe pret të diktojë tymin e radhës në qiell. Por kjo është një histori e përsëritur për të cilën Bashës dhe Kryemadhit as i skuqet, e as i zverdhet. Kësisoj, me padinë e nismës ‘Thurje’ për ‘Sterilizimin’, selia blu ka turrur Albana Vokshin që të rikthejë akuzat e stërthëna me shpresën se do të përbëjnë argument juridik.

Por fundi i këtij muaji e ka gjetur opozitën “Basha & shokët” me një iniciativë origjinale. Pas ‘djegies’ së Salianjit, PD ka hedhur në aksion Gazmend Bardhin për tërmetin. E dukshme që lajmi është ruajtur për jubilera dhe sebepe, Lulzim Basha ka paditur në SPAK në dy mujorin e 26 nëntorit. Çdokush që e sheh padinë dhe me njohjet minimale ligjore që ka, kupton se aty s’ka asgjë për ta marrë seriozisht. Me pak fjalë PD kërkon nga SPAKU të hetohen gjashtë emra zyrtarësh të lartë, dhe siç thuhet në padi: “Çdo person i pa identifikuar nga ana jonë, por që ka përgjegjësi”. Pra, SPAK duhet të hedhë fall se kë do donte Lulzim Basha ta shihte nën hetim për lajmin e radhës.

Përtej çdo shakaje, duhet kuptuar se partia e Lulzim Bashës po tenton të hyjë në tregun politik kryesisht me shantazhe dhe thashetheme marrëveshjesh për zgjedhje te reja. Në një kohë që ka çuar disa ish-deputetë në Gjykatë që të kërkojnë rrogat nga Kuvendi, kjo qasje e re ndaj SPAK tregon edhe më shumë dëshpërimin ku ka rënë opozita. Lulzim Basha duhet t’ua kursejë shqiptarëve talljen e dimrit dhe t’i dalë zot historikut të tij se: Jo vetëm që nuk e ka votuar SPAK-un, por e ka cilësuar si të kapur nga mazhoranca qysh pa u ngjizur ende. Duke qenë se opozita pra nuk ka moral as t’ia zërë në gojë emrin SPAK-ut, mund të ishte ankuar për tërmetin te “Goja e Kuçedrës”. Kush nuk e mban mend, është një vijë uji që publikonte Berisha si shkaktare të lëkundjeve në Shqipëri. Një postim i veshur me mister dhe idiotësi, po aq sa vetë qytetari dixhital.

Sa për këtë përrallën e Bashës me SPAK-un se “unë s’jam ai që dukem, por ajo është ai”, e kemi parë këtu e kusur vite dhe duhet të na kursehet ndonjë herë.