Një vajzë që shfaqet në ekranet shqiptare si moderatore sportive, e quajtur Ilda Bejleri, është përfshirë në një ngjarje kriminale.Ka aksidentuar një grua dhe jo vetëm që nuk i ka dhënë ndihmën e parë, por ka ikur edhe nga vendngjarja.
Kodi Penal është i qartë për këto raste, sidomos për ikjen nga vendngjarja, dhe nuk kemi pse t’i paragjykojmë gjykatat, pa filluar procesi i gjykimit ndaj saj.Policia duket se tentoi ta tolerojë, por pas zhurmës publike, filloi veprimin.Portali Dritare.net dhe më pas gazeta TemA, nisur nga ngjarja e raportuar, verifikuan se aksidenti i ndodhur ndaj zonjës kishte për autore Ilda Bejlerin.Pas kësaj, Bejleri ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku akuzon gazetën TemA për shpifje, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndodhur.
Më pas, kur e dëmtuara dha dëshmitë e saj dhe policia u vu në lëvizje, Bejleri u muar në pyetje në polici dhe automjeti i saj është bllokuar për ekspertizë të mëtejshme.Më në fund Belleri ka pranuar që ka “rrëzuar” një qytetare, por është e çuditur se si kjo qytetarja e ka denoncuar dhe ka lajmëruar policinë.Pas kësaj, akuzon sërisht gazetën TemA dhe Dritare.net, se kanë shpifur ndaj saj, nga zilia që është vajzë e njohur.
Gazeta TemA e mirëpret gjyqin me autoren e aksidentit, për më tepër që para këtij gjyqi, do të duhet të zhvillohet gjyqi penal ndaj saj, si autore aksidenti dhe e larguar nga vendngjarja.Edhe pse nuk jemi të qartë, përse mund të akuzohemi, tani që dhe vetë Bejleri e pranon aksidentin, sërisht jemi të gatshëm të ballafaqohemi në gjyq me të.
Por zonjushës në fjalë, dikush duhet t’i shpjegojë se bukuria fizike mund të të hapë dyert e ekraneve, por nuk t’i mbyll dyert e burgjeve, kur bën krim.Ne jemi të lumtur që mund të na hedhë në gjyq, pasi mund të na hidhte dhe nga makina, si atë gruan.Në këtë rast, ajo ka nevojë për një avokat të mirë. Do t’i duhet t’ia bëjë më të lehtë procesin penal ndaj saj, pastaj dhe atë civil me ne.Dhe ta këshillojë së paku të mos flasë, pasi çdo budallallëk që thotë, mund t’i përdoret në gjykim. TEMA