Me siguri të gjithë e mbani mend Nas Daily-n, blogeri arabo-izraelit i cili u bë i njohur në Shqipëri pasi realizoi një video në vendin tonë. Por Nas u bë më tepër i njohur pas debatit që e dashura e tij Aline pati me Ermal Mamaqin në emisionin e këtij të fundit, pas një pyetjeje të Kejvinës. “Ti udhëton shpesh, por kur e gjen kohën për të dashurën tënde?”, e pyeti ajo, por Ermali e ndërpreu transmetimin dhe i kërkoi llogari Kejvinës, përse e ka ndryshuar pyetjen. Ndërkohë që kjo e fundit e sqaroi se Arbër Hajdari kërkoi të ndryshohej pyetja, sepse nuk kishte kuptim pasi ata udhëtojnë gjithmonë bashkë.
Ermali i tha Kejvinës ta bënte sërish pyetjen që kishin vendosur në fillim: “Po gjithë këto udhëtime i bën për të takuar goca?”. Dhe në momentin që e dashura e tij mësoi pyetjen, shpërtheu menjëherë në lot dhe e cilësoi shumë ofenduese. “Kjo është shumë e pavend. Kjo nuk është për të qeshur. E di që kjo është Shqipëria dhe ju nuk keni respekt për femrat, por kjo e kaloi cakun. Të mos respektosh femrat nuk është për të qeshur. Jam e lodhur nga kjo botë që bën kështu gjërash. Nuk është në rregull. Kanali im në Youtube me miliona ndjekës është për të drejtat e femrave dhe ti bën këtë pyetje. Femrat në Shqipëri trajtohen si plehra, si objekt”, u shpreh Aline duke qarë.
Nas ka reaguar së fundi, me një tjetër video, ku flet për Ermalin dhe si u soll ai me të dashurën e tij. Ai flet fillimisht për bisedat që bëjnë djemtë, dhe më pas për fjalorin e Ermal Mamaqit, dhe shakatë e tij të cilat i quan seksiste. “Bisedat mes çunave ndodhin në privat. Edhe unë i bëj në privat, derisa një ditë më ndodhi në publik.” “Ai bëri shaka seksiste, nuk i respektoi gratë dhe mua si edhe i detyroi ato për të bërë pyetje në vend të tij,” shton më pas ai, duke nënkuptuar Kejvinën.
“Të jem i sinqertë, në atë moment mendova që (Alyne) e teproi, por në fund të ditës isha i sigurt që kishte të drejtë”. “Qesha me shakatë seksiste duke shpresuar që intervista do të mbaronte më shpejt. Por të jem i sinqertë me ju, nuk mjafton dhe djemtë si unë duhet ta kishin ndaluar. Duhet t’i japim fund këtyre bisedave mes djemve, kurdo që të ndodhin: në privat, në publik, aq më tepër në një televizion kombëtar”, thotë Nas.