Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, me ftesë të organizatorëve, mori pjesë në Mëngjesin e 68-të të Lutjeve që u zhvillua në Uashington.
Në këtë aktivitet që organizohet nga Anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Fellowship Foundation dhe që përbën një nga ngjarjet e rëndësishme të përvitshme, merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të shteteve, udhëheqës botëorë fetarë, politikë, biznesmenë, etj, për të nderuar besimin dhe miqësinë.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, në fjalën e mirëseardhjes, ndër të tjera shprehu mbështetjen e tij për Krijimin e Aleancës Ndërkombëtare për Liritë Fetare, nismë e cila u përqafua aktivisht edhe nga vendi ynë si dhe falënderoi të gjithë përfaqësuesit e shteteve që i’u bashkuan gjerësisht kësaj Aleance.
“SHBA-të bazohen në parimin që të drejtat tona nuk vijnë nga qeveria, ato vijnë nga Zoti. Amerika do të qëndrojë gjithmonë përkrah fesë”, u shpreh Trump.
Në margjinat e aktivitetit, Ministri Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me homologët e tij ku ndër të tjera, diskutoi mbi çështjet dhe sfidat aktuale ndërkombëtare si dhe mbi rolin dhe angazhimin e Shqipërisë në adresimin e tyre.
Gjithashtu, në këtë aktivitet morën pjesë dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe deputeti Damian Gjiknuri.