Shqipëria, ashtu siç e ka konfirmuar deri më tani edhe Komisioni Europian, ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Sot në Pragë, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit (V4) dhe Ballkanit Perëndimor. Në takim edhe njëherë u përsërit mbështetja e V4 për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij Cakaj, theksoi dy çështje kryesore lidhur me rajonin. “Rëndësinë e çeljes së negociatave me BE-në për anëtarësimin e Shqipërisë sa më parë: Shqipëria, ashtu siç e ka konfirmuar deri më tani edhe Komisioni Europian, ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Paraqitja e metodologjisë së re ka krijuar një momentum të ri politik brenda Bashkimit Europian, i cili duhet shfrytëzuar gjithsesi. Domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave me Republikën e Kosovës. Çdo vonesë është e padrejtë sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë. Po ashtu, nënvizova se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të përfundojë me asgjë më pak se njohja e ndërsjellë”. Vendet e Vishegradit edhe njëherë njëzëri konfirmuan mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE menjëherë, shtoi Cakaj.