Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Kosovë ku po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare, që prej marrjes së detyrës. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cakaj zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca. Në takim homologët shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për nxitjen e bashkëpunimit strategjik e gjithëpërfshirës në fushën e politikës së jashtme me qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive dhe harmonizim të objektivave strategjike dhe diplomatike kombëtare. Gjithashtu, sa i përket zhvillimeve rajonale, palët diskutuan për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh.
Pas takimit, homologët zhvilluan një konferencë për shtyp, gjatë të cilës Cakaj shprehu: “Me Ministrin Konjufca jemi pajtuar që menjëherë të thërrasim mbledhjen e ‘Këshillit të Përbashkët për Planifikim Strategjik’ për Bashkërendim të Politikave për të koordinuar qëndrimet në politikën e jashtme dhe për të zhvilluar një platformë me qëndrime komplementare politike.” Gjithashtu, Cakaj siguroi se Shqipëria do të vijojë angazhimin në mbështetje të Kosovës në procesin e avancimit të njohjeve dhe anëtarësimeve në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën për shtyp: “Është koha të kemi një plan më intensiv për të vënë në lëvizje të gjitha kapacitetet tona në shërbim të njohjes së Kosovës.”