Ndërtimi i 500 shtëpive nga Turqia për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit fillon në fund të shkurtit. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se, “marrëdhëniet politike midis të dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe zhvillohen në një mirëkuptim të plotë. Dialogu politik, marrëdhëniet miqësore, shkëmbimet e shumta e intensive kanë fuqizuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregëtare dhe investimet turke në Shqipëri po rriten.
“Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur dhe do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë për mbështetjen e fuqishme të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar si një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe Shqipërisë në këto përpjekje”, tha Ruçi. Kryetari i Kuvendit i shprehu Ministrit Çavuşoğlu mirënjohjen për mbështetjen për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit si edhe solidaritetin për popullin turk dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti i 24 janarit në Turqi.
Ministri Mevlüt Çavuşoğlu falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët e ngrohta, vlerësimet dhe mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe i transmetoi përshëndetjet e përzemërta vëllazërore të Presidentit Erdogan dhe Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Şentop. “Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë dhe kontributi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin nuk varen nga madhësia e vendit, por nga vendosmëria për këto kauza. Ne do të mbështesim rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat dhe investimet prej 3.5 miliard USD në Shqipëri do të pasohen nga të tjera në të ardhmen. Turqia mbështet fuqimisht rritjen e rolit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore sepse i kushton një vëmendje e kujdes të veçantë zhvillimeve në rajon”, tha ai.
“Turqia do të marrë pjesë në mbledhjen e donatorëve dhe do të nxisë vendet pjesëmarrëse për rritjen e kontributeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e rindërtimit.Ndërtimi prej Turqisë i 500 njësive të banimit për familjet e pastreha prej tërmetit të 26 nëntorit do të fillojë në fund të muajit shkurt. Përpjekjet dhe kontributi ynë për njohjen dhe rritjen e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të rriten”, vuri në dukje Ministri Mevlüt Çavuşoğlu.