Pas fitores bombastike në derbin kundër Milanit dhe humbjes në Kupën e Italisë kundër Napolit, një tjetër sfidë e madhe e pret Interin. Zikaltrit do të sfidojnë Lazio; një duel themelor në luftën për titull, e cila mund të përfaqësojë distancimin e Interit, ose parakalimin e tij nga bardhekaltrit. “Nesër do të jetë një ndeshje e shkallës së lartë të vështirësisë. Lazio është një realitet i konsoliduar në kampionatin italian. Ata fituan Kupën e Italisë vitin e kaluar dhe këtë vit bënë të vetën Superkupën e Italisë. Bardhekaltrit janë rritur shumë, duke mbajtur gjithmonë lojtarët më të fortë dhe në rritje”, – tha Conte në konferencë për shtyp.
Më tej vazhdoi: “Eriksen po punon me ne, me siguri po e kupton gjithnjë e më shumë se çfarë situatash duam prej tij. Siç e thashë që nga fillimi, kam bërë diçka, që nuk e kisha aplikuar kurrë në karrierën time, e aktivizova atë menjëherë sa erdhi nga Tottenham. Tani do ta shihni nga fillimi në ndeshjet e radhës, kur ta konsideroj të përshtatshme. Me Milanin dhe Napolin kemi luajtur dy ndeshje krejtësisht të ndryshme. Kundër kuqezinjve loja ishte e hapur, tjetra ishte ndryshe. Napoletanët zbatuan një strategji mbrojtëse, duke marrë një rezultat shumë të mirë. Kemi pasur mundësi për të shënuar, por finalizimi nga ana jonë nuk ishte më e mira.
Lautaro në Spanjë? Pavarësisht moshës së tij të re, ai ka pjekurinë e duhur për të kuptuar se thashethemet e tregut kanë shumë pak rëndësi. Unë shoh që flitet shpesh tashmë për merkaton e Interit, për blerjet dhe largimet e ardhshme. Arbitrimi? Sigurisht që ka vështirësi në uniformitetin e gjykimit. Ka pasur situata, që kanë lënë ndonjë hutim. Duhet të kemi vullnet dhe dëshirë të besojmë se ekziston gjithmonë mirëbesimi në të gjitha situatat”.