Trajneri i Interit, Antonio Conte, beson se fitorja me rikthim e skuadrës së tij ndaj Milanit në derbin “Della Madonnina” do të jetë moment kyç në sezonin e zikaltërve, derisa e vlerësoi si shumë të veçantë natën e të dielës. Fjalimi i tij në pushimin mes pjesëve duhet të ketë qenë spektakolar, sepse Interi u rikthye nga rrënojat (2:0), për të fituar 4:2, fale golave nga Marcelo Brozovic, Matias Vecino, Stefan de Vrij dhe Romelu Lukaku. Vetëm një herë më parë zikaltrit e kishin fituar derbin edhe pse kishin qenë duke humbur të paktën me dy gola epërsi, trilerin 6:5 në nëntor të vitit 1949. “Ishte një natë e veçantë, kjo është e sigurt. Në pjesën e parë ishim në vështirësi të mëdha, më shumë seç kemi qenë deri tani këtë sezon dhe rrezikonim të humbnim keq”, tha Conte për Sky Sport Italia.
“Por ne bëmë punë të mirë për ta kthyer baraspeshimin, për të kuptuar se ku duhej të përmirësoheshim, për të pasur besim në atë që po e bënim dhe kjo është meritë e këtyre djelmoshave. Përveç rezultatit, jam i lumtur që i pashë ata duke rezistuar nën presion dhe duke i përmbysur gjërat, që nënkupton se ata janë të gatshëm për diçka vërtet të veçantë”, shtoi ai. Kjo fitore nënkupton se Interi është lider i Serie A por me pikë të barabarta me Juventusin dhe vetëm një pikë më shumë se Lazio.