Alessandro Del Piero jeton në Los Angeles për fëmijët e tij. Ai ka mbërritur në Berlin për ceremoninë madhështore të së hënës, prej nga ka folur për disa çështje. Duke nisur nga Juventusi, të cilin e ndjek rregullisht. “Unë do të thoja se bilanci është pozitiv, këtë sezon, – tha ish-kapiteni bardhezi për “Marca”. – Ne ishim mësuar që Juventusi t’i fitonte të gjitha ndeshjet, por këtë sezon nuk është ashtu. Megjithatë, kjo është gjë e mirë për futbollin italian, sepse skuadrat e tjera e kanë ngritur nivelin. Natyrisht, Juve për strukturën, për historinë dhe për cilësinë e lojtarëve është më favorit se të tjerët.

Ai mund të fitojë cilindo trofe, Ligën e Kampionëve dhe “Scudetto”, por një gjë është ta themi dhe tjetër ta bëjnë këtë. Skuadra ka ndryshuar, nuk është më aq mbrojtëse, Cristiano Ronaldo po shënon rregullisht. Nëse ai vazhdon kështu, me këtë uri dhe profesionalizëm, do të bëjë shumë njerëz të lumtur në Torino. Tani futbolli ka ndryshuar pak. Kur fillova unë, mbrojtjet ishin shumë të vështira, tani sistemi difensiv është më i hapur. Në Itali luhej futboll shumë mbrojtës, anglezët ishin të orientuar më mirë, ndërsa spanjollët shquheshin për teknikë. Tani, e gjitha kjo është më e përzier”.

Sa i përket përplasjes Napoli-Barça në Champions, Del Piero beson se skuadra katalanase është favorite: “Barcelona ka Messin dhe është mësuar t’i luajë këto lloj ndeshjesh. Gjithsesi, Napoli është një realitet i bukur, ka ndryshuar me Ancelotti. Edhe Barça ka ndryshuar. Napoli di si të luajë shumë mire, ndaj për këtë arsye le të presim e të shohim”. Ndryshimin e trajnerit të Barçës e sheh nga jashtë si diçka të çuditshme: “Pa dyshim që shkaku i vërtetë i ndërrimit të trajnerit qëndron brenda vetë klubit.

Nga jashtë e shikoni si diçka të çuditshme. Kishte zëra se diçka po ndodhte, por nëse ke menduar për një ndryshim në stol, kjo supozon se do më të mirën. Ne jemi në një futboll sot, ku presioni është shumë i madh. Barça ka lojtarë si Messi, por jo vetëm ai. Ka kampionë të jashtëzakonshëm. Nuk mbeten pas Real Madridi, PSG, Manchester City dhe Liverpool, që mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve”.