Delegacioni i Komisionit të Venecias, i cili prej disa ditësh ndodhet në Tiranë, ka zhvilluar sot (14.02.2020) në ambientet e Gjykatës së Lartë një takim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi 2019 dhe 2020. Vizita ishte në kuadër të dhënies së opinionit “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës së ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.
Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, kanë njohur anëtarët e delegacionit me veprimtarinë e zhvilluar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për vitet 2019 dhe 2020, duke shpjeguar rolin e këtij këshilli në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Anëtarët e Delegacionit të Komisionit të Venecias kanë falenderuar këtë këshill për mikëpritjen duke theksuar se roli i tij është shumë i rëndësishëm në proceset aktuale që po kalon vendi, duke përmendur gjithashtu faktin se ky këshill ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të veprimtarisë dhe punës së kryer prej tij si dhe debateve e diskutimeve mes institucioneve të tjera.
Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi iu përgjigjën pyetjeve të delegacionit në lidhje me çështjet të cilat janë bërë objekt diskutimesh dhe debatesh mes institucioneve, gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar veprimtarinë dhe vendimmarrjen e tyre gjatë këtyre proceseve.
Top Channel