Edhe shkurti muaji që mbyll stinën e dimrit, ka nisur me mot të kthjellët. Kjo situatë do të vazhdojë deri të martën në mesditë, kur do të nisë shtimi i vranësirave fillimisht në veri e më pas në gjithë vendin duke sjell reshje. “Të mërkurën, reshjet parashikohet të jenë në formën e dëborës, duke qenë se do të kemi rënie të ndjeshme të temperaturave si pasojë e ardhjes së masave ajrore me origjinë nga veriu i kontinentit Europian. Reshjet e borës do jenë të fokusuara në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në Ultësirën perëndimore reshjet do të jenë në formën e shiut. Pas të mërkurës do të kemi kthjellim të motit dhe kushte të qëndrueshme atmosferike. “ tha meteorologia Adiola Bani.
Rikthimi në vlerat normale klimatike të muajit shkurt parashikohet të ndodhë në fund të javës që vjen. Temperaturat do të luhaten nga 2 gradë celcius në zonat malore në 18 gradë celcius. Por të mërkurën temperaturat do të zbresin deri në -4, -5 gradë celcius. “Ditët më të ftohta të kësaj jave do të jenë e enjtja dhe e premtja, ku parashikohet që temperaturat në zonat e thella malore të luhaten në -6, -7 gradë celcius. Ndërsa mesdita jo më shumë se 10 apo 11 gradë celcius. Reshjet do të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, kur pritet të kemi sërish rikthim të motit të kthjellët e me diell në territorin shqiptar. “ tha më pas meteorologia Adiola Bani./tch