Nga Mero Baze
Vizita simbolike e Albin Kurtit në Tiranë, në përpjekje për të bërë prova të parakalojë si kryeministër, duket se ka pasur dy anë të medalies, atë të problemit real që ai ka në Kosovë, të cilën po rrezikon ta kthejë në një armike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke humbur aleatin strategjik të saj, dhe përpjekjes delirante dhe aktoreske për të shitur mungesën e përkrahjes nga Tirana zyrtare për një aleancë kundër presionit amerikan, si dështim patriotik.
Në bisedën me Edi Ramën, Albin Kurti ka qenë modest, një kryeministër që është në hall, se nuk di si ta paketojë populizmin e tij të deridjeshëm, si të përtypë fjalët për reciprocitetin dhe heqjen e taksës, dhe mbi të gjitha, si do ta zgjidhë dialogun me Serbinë, që është çështja më madhore që ka Kosova.
Këtë temë e shmangën të gjithë nga fushata elektorale dhe ja lanë Edi Ramës si “tradhtar”. Tani duhet të përballet me të. Dhe kur e mendon përgjegjësinë që kanë akte të tilla, është vërtet një hall i madh, për të cilin duhet ndihmuar, por jo duke ju bërë aleat kundër SHBA, por aleat kundër injorancës me të cilën politikanë të papërgjegjshëm dhe në disa raste të ligj, të Kosovës, prodhuan këtë problem.
Pasi doli jashtë nga zyra, nuk di pse eksitoi gjithë ata që kanë qejf ta shikojnë më shumë si armik të Edi Ramës, se sa si kryeministër të Kosovës. Shengeni ballkanik për të cilin Kurti në takim ka pasur qëndrim krejt të ndryshëm nga ai para gazetarëve, ka të bëjë me atë se si duhet të realizohet heqja e kufirit Shqipëri- Kosovë.
Teatri me lojë fjalësh mund të shërbejë si ushqim për turmat, por jo më për kryeministrin e Kosovës. Mundësia e vetme që Kosova të heqë kufirin me Shqipërinë, është një përpjekje e secilit vend ballkanik, për të përdorur mbështetjen Perëndimore për zgjidhjen e problemeve lokale.
Historia e dështuar e heqjes së kufirit Shqipëri- Kosovë këto 20 vite, ose siç e quan Albini, “Mega Shengeni” shqiptar, nuk pengohet as nga Tirana, as nga Prishtina, por nga SHBA dhe BE, të cilat duan që kjo gjë të bëhet kur të bien dakord vendet e rajonit. Dhe vendet e rajonit më në fund kanë vetëm një moment që janë dakord për këtë, dhe kjo është iniciativa e Shengenit Ballkanik.
Albin Kurti deri dje mund të bënte si budalla, se nuk e dinte. Sot kur ka në celuarin e tij sms-ët e të dërguarit të presidentit Trump për Kosovën, besoj di më shumë se kaq. Ndaj kur e di dhe bën sikur nuk e di, kur del nga zyra e Edi Ramës para gazetarëve, tregon se është hipokrit.
Përpjekja e tij për të gjetur një aleat kundër SHBA në Tiranë, për të shpëtuar fytyrën e tij para shqiptarëve, nuk do të ketë sukses. Ai politikan shqiptar që humbet aleancën strategjike me SHBA, jo vetëm që nuk është patriot, por është aseti më i çmuar i armiqve historikë të shqiptarëve në Ballkan, kryesisht serbëve, meqë Albini ka qejf të afishohet si luftëtar kundër tyre.
Kosova e mundi Serbinë 20 vite më parë se ishte aleate e SHBA, edhe pse Shqipëria sapo kishte dalë nga një krizë e thellë me SHBA.
Ka qenë një kohë në historinë e shqiptarëve, kur aleati i vetëm i SHBA nga shqiptarët në Ballkan, nuk ishte presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, por ai i Kosovës. Ishte viti 1996.
Shqipëria zyrtare ishte në luftë të ftohtë me SHBA, për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit, burgosjes së liderit të opozitës dhe marrëdhënieve të këqija me Greqinë. Sali Berisha dhe qeveria e tij ishte i izoluari i madh i SHBA.
I vetmi politikan shqipar që mund të takohej me zyrtarë amerikanë në atë vit ka qenë Ibrahim Rugova. Falë dhe këtij zhvillimi, ai u bë dhe një armik i Sali Berishës dhe ndërpreu raportet me të.
Ky është rasti i parë dhe i vetëm zyrtar kur Shqipëria zyrtare u ftoh me Kosovën, edhe për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Amerikës. Ibrahim Rugova zgjodhi SHBA, në konfliktin mes Shqipërisë zyrtare të çmendur, dhe SHBA, pasi kështu e ndihmonte më shumë Shqipërinë.
Këtë do të bëjë dhe Shqipëria me çdo politikan të Kosovës, nëse çmendet dhe kërkon mbështetje “patriotike” kundër SHBA, pasi kështu e ndihmon Kosovën.
Albin Kurti, as nuk ka çfarë rregullon në raportet Shqipëri- Kosovë, as nuk ka çfarë prish. Ai është një numër rendor që përfaqëson Kosovën për disa vite. Ka shans vetëm të mbahet mend për mirë në Shqipëri.
Në fakt deri më sot, ai dhe Haradinaj janë dy kryeministra që kanë kthyer në sport politik betejën me Shqipërinë për hallet e tyre politike. Por kjo harrohet shpejt.
Albin Kurti tani nuk e ka betejën me Shqipërinë dhe as me Edi Ramën.
Albin Kurti e ka betejën me SHBA. Edi Rama i ka shërbyer boll si “tradhtar” prej gjashtë mujash. Me Edi Ramën bëri fushatën elektorale si “tradhtar”, duke sharë Edi Ramën shtyu negociatat pa fund deri sa i uli brekët para Isa Mustafës, me Edi Ramën po tenton të duket ende patriot pasi del nga zyra e tij, pasi e shikon që nuk e përdori dot si aleat për të përballuar presioni e axhendës amerikane për Kosovën.
Tani Edi Rama nuk e ndihmon dot më si “tradhtar”. Fushata elektorale mbaroi dhe pas katër muajsh, Kosova ka qeverinë e saj. Tani sms dhe twitter-ave të ambasadorit Grenell duhet t’u përgjigjet Albini si kryeministër i Kosovës.
Duhet të zgjedhë ai, nëse do të qëndrojë në anën e SHBA, duke zhbërë populizmin e tij fallco dhe të rrezikshëm për Kosovën, apo do qëndrojë përballë SHBA, duke ja dhuruar mbështetjen e saj serbëve. Kështu bëri Milosheviçi në Rambuje. Këtu do të tregojë sa patriot është.
Serbia kurrë nuk ka pasur një aset kaq të çmuar në tryezë për t’ia hequr SHBA-së nga duart Kosovën se sa përçartjet populiste të Albin Kurtit.
Për të shitur pallavra patriotike është lehtë. Shqiptarët i blenë pallavrat dhe futën shitësin e tyre në zyrën e kryeministrit. Tani Albin Kurti s’ka kujt i shet më pallavra të tilla. SHBA ka një axhendë për Kosovën dhe ai duhet t’i thotë “Po”, ose “Jo”.
Tirana nuk e ka luksin të bëjë “aleancë patriotike” me Albinin, kundër SHBA. Kosova meriton atë kryeministër që ruan aleancën me SHBA. Shpresoj që Albini të jetë i tillë.
Pas kësaj, kemi plot kohë për të folur odave duke pirë çaj, për heronj dhe tradhtarë të Kosovës. Po sidomos për slloganin, “Jo negociata, Vetëvendosje!”