Procedurat për njohjen e lejeve të drejtimit nga Gjermania, ka sjellë në Tiranë një delegacion të saj që po studion vlerësimet përkatëse deri në arritjen e një marrëveshje finale për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani. Drejtuesi i Departamentit për Qarkullimin Rrugor në Ministrinë Federale për Qarkullimin dhe Infrastrukturën Digjitale, Guido Zilke si dhe Drejtuesja e Referatit përgjegjës, Renate Bartelt-Lehrfeld u informuan mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri në sektorët e sigurisë rrugore dhe provimeve për patentat.

Sipas Ambasadës Gjermane në Tiranë, delegacioni vlerësoi përparimet e dukshme zhvilluar në fushën e sigurisë rrugore dhe procedurën e lëshimit të patentave, ndërsa shtoi se duhet të ndiqen ende disa masa të tjera për të përmirësuar sigurinë rrugore në Shqipëri

‘Gjermania do të mbështesë intensivisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për të ulur numrin e aksidenteve. Njëkohësisht vlen të mbahet parasysh se për njohjen e mundshme të patentave shqiptare do të duhet të japin aprovimin e tyre për ndryshimin e duhur ligjor të 16 landet federale në Gjermani’, njofton Ambasada Gjermane, ndërsa njofton se do dërgojë një ekspert të sigurisë rrugore në Tiranë. Lajmi për nisjen e procedurave të njohjes së patentave në Gjermani e dha disa ditë më herët edhe kryeministri Rama, i cili u shpreh se tani i hapet rrugë ekspertëve për të nisur vlerësimet përkatëse për njohjen e lejeve të drejtimit.