“Lionel Messi nuk mund ta njollosë reputacionin e tij, duke e braktisur Barcelonën, sepse ai është historia e këtij klubi”. Kështu mendon dy herë fituesi i Kupës së Botës, braziliani Cafu. Ish-ylli i Milanit dhe Romës, i cili është rekordmeni i paraqitjeve me Seleçao në të gjitha kohërat, thotë se “Messi do të jetë gjithmonë Messi, pavarësisht cilin klub përfaqëson”. Spekulimet për të ardhmen e yllit argjentinas te Barcelona janë intensifikuar javët e fundit, mes dyshimeve se ai mund të konsiderojë një “ndryshim ajri” gjatë fundit të karrierës. Messi reagoi me zemërim ndaj komenteve të drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidal, i cili vuri në dyshim angazhimin e lojtarëve gjatë drejtimit të Ernesto Valverde në “Camp Nou”. Messi, 32 vjeç, është gjashtë herë fitues i “Topit të Artë” dhe për të mund të ketë një “përleshje” midis klubeve më të pasura në botë, nëse vendos të përqafojë një tjetër sfidë.

Cafu pranon se nuk e di se çfarë zgjedhjeje do të bëjë argjentinasi, por beson se ai gjithmonë do të jetë pjesë e rëndësishme e katalanasve, historia e klubit të tyre. “Askush nuk e di. Është e vështirë të thuash nëse Messi do të vazhdojë te Barcelona apo do të ndryshojë skuadër, – tha ish-fituesi i Champions-it për “Omnisport”. – Messi sot është lideri dhe kapiteni i Barcelonës, ai është historia e këtij klubi. Sidoqoftë, nëse me zgjedhjen e tij vendos të ndryshojë ekip, ai gjithmonë do të jetë Messi, ndërsa ne do t’i jemi përjetësisht mirënjohës për çfarë ka dhënë. Nëse Messi emërohet sportisti i vitit, kjo ndodh sepse e meriton përmes futbollit. Të luash futboll, të sjell gëzim. Të argëtohesh përmes këtij sporti dhe ta bësh Barcelonën më të madhe e më të madhe, ky është specialitet vetëm i Messit”.