Pasi u largua nga Napoli trajneri Carlo Ancelotti u rikthye në Premier League, ku prej dy muajsh drejton skuadrën e Everton. Trajneri italian shpreson që kjo aventurë të zgjasë sa më gjatë dhe për momentin kjo marrëdhënie po funksionin mirë. Në një deklaratë për mediat, Ancelotti tha se ka ambicjen e madhe ta çojë Everton te trofetë. “Kam firmosur një kontratë për 4 vite e gjysmë dhe dua të qëndroj këtu deri në fundin e saj, për të treguar aftësitë e mia dhe të skuadrës. Më pas, nëse do të kisha mundësi, do të qëndroja edhe më gjatë. Ky klub ka ambicje, pasi Everton synon të jetë kompetitiv në Premier League dhe në Europë. Po punojmë për këtë gjë”, tha Ancelotti.
“Kemi krijuar një bazë solide për të ardhmen. Ka mjaft të rinj që po rriten dita-ditës. Çdo vit Everton do të bëhet më i fortë dhe mendoj se brenda 3 vitesh do të kemi një ekip që do të duelojë për titullin në Angli dhe do të jetë pretendent në Europë”, tha Ancelotti.