Casemiro përmendi rënien e intensitetit, si arsyen e humbjes 2-1 të Real Madridit ndaj Manchester City, por mbetet optimist se mund ta sigurojnë kualifikimin në kthim. Sergio Ramos u dërgua jashtë fushe me karton të kuq, katër minuta nga fundi i kohës së rregullt, çka do të thotë se të bardhët do të jenë pa kapitenin e tyre në “Etihad”, më 17 mars, ku duhet të shënojnë të paktën dy herë për të përparuar më tej. “Shpjegimi është i qartë, – tha Casemiro për “Movistar”. – Ne luajtëm 75 minuta me të vërtetë të mira, pastaj nuk patëm më intensitet.

E humbëm kontrollin e lojës, ulëm ritmin përballë një rivali të shkëlqyeshëm. Manchester City sul moi dy herë dhe shënoi po kaq gola. Nuk kemi asnjë justifikim, por as mund të vajtojmë këtë që ndodhi. Në fundjavë na pret një ndeshje tjetër e ashpër, kundër Barcelonës. Duhet të fillojmë të mendojmë vetëm për këtë.

Ndeshja e kthimit? Nëse ka një ekip të aftë ta përmbysë një disavantazh të tillë, ky është vetëm Real Madridi. E rëndësishme është që luajtëm me të vërtetë mirë për 75 minuta, kundër një skuadre të shkëlqyeshme. Për 15 minuta nuk bëmë atë që duhej. Asgjë nuk ka mbaruar, por kemi shumë punë përpara”.