Nga Mira Kazhani

Sot Shqipëria ka marrë një lajm të papritur nga askush në Shqipëri, as nga optimisti më i madh. Shuma e mbledhur në Bruksel 1 miliard e 150 milionë euro është e vërtetë dhe të prek në tela kur sheh se bota ka ende humanizëm, sepse në këtë rast shifrat nuk numërohen më si të dhëna financiare, por si mesazh dashurie, nga Brukseli, nga fqinjët, (edhe Mali i Zi që ende po e mendon sesi mund të na gjendet) aleatët, që dhuruan shuma e ofruan grante në formë huash. Vlen të sqarohet se nuk janë të gjitha dhuratë, dhe se ka mes tyre grante e hua, që do duhet të shlyhen, por kjo pak rëndësi ka në një ditë të bukur si kjo.

Sot është festa e Edi Ramës në një kuptim të pastër politik! Miq dhe armiq të tij sot bashkohen tek një shifër të cilën s’ka asnjë presje ku mund ta interpretojnë. A na e kishte këtë edhe borxh moral BE-ja? Një borxh moral me negociatat e vitit të shkuar, që edhe mund të mos e kishte peng tek e fundit se ne për burokratë, të mërzitshëm e të padrejtë i njohim.

E kujtoni besoj si shamë edhe Brukselin vjet. Si u përhapën si milingona tifozët në portale e panele. Pati jo pak analistë e gazetarë që e shpërfillën, madje edhe vetë kryeministri nuk i rezistoi lojës politike me mini-Shengen, (Shqipëria ka sot vetëm një rrugë, rrugën e madhe drejt Europës dhe jo rrugë të vogla, me inate të vogla.) Apo edhe bezdira të vogla ndaj burokratëve që sot na duken krijesat më romantike të botës dhe që emocionuan aq shumë kryeministrin sa desh këndoi himnin e Liverpulit. Janë të njëjtët!

Ja pra, kjo është Europa. Kjo është bota dhe raca njerëzore ende ekziston. Raca politike ende ekziston. Sot është një ditë për kuptuar më mirë politikën. Pse paratë e tregojnë! -Paratë në këtë rast janë përmbushja e një premtimi. Rindërtimi i vendit pa siklete lekësh do t’i jepte edhe një politikani formal kartën kryesore të besimit para zgjedhësve: ne jemi çka premtojmë, ne ia dalim, ne s’jemi dështakë, me ne nuk do të jesh kurrë vetëm. Pa harruar hovin ekonomik që i japin vendeve gjithmonë investimet në post-fatkeqësi. Të gjitha këto do ndodhin, nëse nuk do nisin hilet shqiptare, pazaret, dhe maskarenjtë që ia hedhin qeverisë dhe ia vjedhin milionat. Vetëm një naiv do ta shpërdoronte këtë super mundësi në zenit të suksesit?!

Edi Rama u rizgjodh kryeministër në mandatin e dytë ditët pas tërmetit, (praktikisht po). Fatkeqësia solli një ringjallje të punëve dhe energjive të qeverisë quasi-teknike socialiste. Kryeministri siç e tha edhe vetë, i ngrihen nervat ndonjëherë edhe me BE-në, edhe me botën, dhe me veten e të vetët. Por sot është dita e tij, Edi Rama është i qetë dhe mund të ecë më i sigurt drejt kryeministrisë tre. Gjithmonë nëse nuk bëhet shpesh me nerva. Tek e fundit, mund dhe të këndojë himnin shqiptar sa herë që ndjehet bosh. TiranaPost.al