Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja zbulon prapaskenën se si i propozoi ish-skuadrës së tij, Napolit, për të marrë Marash Kumbullën kur nisi të luante me ekipin e parë të Veronës.
Në një intervistë për “L’Arena”, tekniku italian u shpreh se e ftoi Kumbullën të debutonte me Shqipërinë duke parë se Italia nuk po e thërriste të luante me ekipin kombëtar.
“Te Napoli u thashë se duhej të merrnin menjëherë Marash Kumbullën. Është i fortë fizikisht dhe tejet i ndërgjegjshëm si dhe di ta llogarisë mirë se kur duhet të ndërhyjë. Por, për momentin ai e ka refuzuar Napolin. Dy vite më parë, Marashi do të kishte përfunduar te Juventusi, por disa prej trajnerëve të Veronës dhe disa pjesëtarë të familjes preferuan që ta mbanin në skuadër dhe të rritej.
Në Itali nuk po kujtohej dikush për të, prandaj vendosa që ai të debutonte me Kombëtaren e vendit të origjinës”, theksoi Reja.