Christian Eriksen ishte një nga protagonistët e shkëlqyer të merkatos së dimrit. Kalimi i tij nga Tottenham tek Interi ishte në të vërtetë një nga goditjet më të bujshme në Europë. Mesfushori danez, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, shpjegoi pse zgjodhi të largohej nga Premier League dhe Anglia për t’ia filluar përsëri nga zikaltrit: “Sepse në jetë, herët a vonë ju duhet të merrni një vendim, duke menduar për opsionet e ndryshme. Real Madridi, në fund nuk ishte asgjë konkrete. Nga ana tjetër, Interi ishte opsion i vërtetë, lëvizi shumë seriozisht. Dhe në këtë pikë të gjërave nisa ta imagjinoja veten duke luajtur këtu. Interi erdhi tek unë, vendimi ishte pothuajse i natyrshëm”.
Eriksen ishte i njohur tashmë me Interin, pasi u përball me të në Champions, sezonin e kaluar: “I kam shijuar të dyja ndeshjet, por jo, nuk është kjo, për çfarë jam këtu. Unë kam luajtur në “San Siro” disa herë. Është një stadium i jashtëzakonshëm. Edhe nga jashtë, Interi perceptohet si një klub i shkëlqyeshëm. Ajo që po përjetoj këto ditë e konfirmon këtë. Ka një grup lojtarësh të shkëlqyeshëm, ne po luftojmë me Juventusin për të fituar titullin. Ndihem i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre”.
Xhevahiri i ri i Interit ka zbuluar pozicionin e tij të preferuar në fushë: “Aty ku mund ta marr topin. Nuk më intereson se ku, me Pochettino luaja edhe në krahun e djathtë. Sidoqoftë, duhet të jem brenda fushës, të jem në gjendje të kap topin dhe të krijoj diçka. Në mesfushën e Conte, tre lojtarë luajnë në mes, ndaj është pak më ndryshe. Megjithatë, gjëja e rëndësishme është që të kemi mundësinë për të shpikur (krijuar)”.
Ardhja e Eriksen tek Interi është parë nga shumë si një goditje e bujshme, por kjo nuk e tremb mesfushorin: “Jo, pse të më trembë? Vitet e fundit te Tottenham, gjithashtu me Danimarkën, kam qenë gjithmonë lojtari me përgjegjësitë më të mëdha mbi shpatulla. Jam mësuar me këtë rol. Edhe këtu tek Interi, asgjë nuk ndryshon për mua. Dua të jem lojtari që bën ndryshimin, duke shënuar dhe krijuar. Do të duhet kohë, është e qartë, por në futboll nuk mund të prisni shumë gjatë për t’u bërë vendimtar”.
Eriksen sot vesh fanellën e Interit, por në të kaluarën mund të kishte luajtur me atë të Milanit, nëse një “audicion” i vetëm do të kishte dhënë rezultatet e dëshiruara: “Unë fluturova nga Odense në Milano për dy ditë. U përpoqa të bëja përshtypje në atë provë. Duke u kthyer, mendoja me vete: Më kanë pëlqyer apo jo? Italia dukej shumë larg shtëpisë, unë isha i lidhur me familjen. Pastaj përgjigjja e Milanit nuk më erdhi kurrë, ndoshta komunikuan mes tyre dy klubet, nuk e di…” Kampioni danez më në fund shpjegoi pse Interi duhet ta fitojë “Scudetto”: “Sepse është objektiv i klubit. Ne jemi aty, plotësisht në garë. Juve e ka fituar itullin prej një kohe të gjatë, ne duam t’i ndryshojmë gjërat. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam këtu”.