Serisë së gjatë të rezultateve negative Napoli i dha fund javën e kaluar, teksa mposhti në “San Paolo” Juventusin me rezultatin 2-1, një fitore kjo që duket se ka rikthyer entuziazmin dhe qetësinë në kampin napolitan. Mbrëmjen e sotme djemtë e Gattusos do të zbresin në fushë në Gjenova, për t’u përballur me Sampdorian e Claudio Ranierit, ndërsa synimi i vetëm është marrja e tre pikëve, për të rihapur totalisht shpresat për një vend në zonën Champions.
Aktualisht Napoli ka grumbulluar vetëm 27 pikë dhe mban vendin e 11, por në rast fitoreje sonte ndaj Sampit, do të shkonin 30 pikë dhe vetëm 9 pikë larg zonës Champions, ku pozicionohen Roma e Atalanta me nga 39 pikë. Trajneri Gattuso do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët që pati edhe ndaj Juves, ndërsa mund të rikthehen në fushë edhe emra si Allan e Koulibaly, që i kanë munguar skuadrës në javët e fundit. Nga ana tjetër Sampdoria është në kuotën e 20 pikëve dhe jashtë zonës së ftohtë të rënies, por për të qenë më e qetë ka nevojë të grumbullojë sa më shumë pikë dhe ndaj Napolit do të provojnë të mos dalin të mposhtur.