Pas Konferencës së Donatorëve ku Shqipëria mblodhi 1.15 miliardë euro për rindërtimin e dëmeve nga tërmetit i 26 nëntorit, banorët e Thumanës shprehen optimist për ndërtimin e banesave të tyre por gjithashtu nuk mungon edhe skepticizmi. E moshuara Lumturie Koleci, e cila jeton në çadër thotë që ka shpresë por uron që këto para të shkojnë për ndërtime dhe jo në xhepat e pushtetarëve.
“InshAllah sa më shpejt i ndërtojnë, kemi shpresa se na kanë premtuar që do t’iu bëjmë shtëpinë, kemi shpresa por mos i çofshin nëpër xhepa. Jemi optimist por të shohim tani”, tha Lumturie Koleci. Katër anëtarët e familjes Koleci në Thumanë jetojnë në çadër prej tre muajsh pasi tërmeti i 26 nëntorit i dëmtoi banesën. Ramadan Koleci tregon vështirësitë e jetesës në kushtet e një çadre në këto ditë të ftohta.
“Nata është shumë e ftohtë, ka lagështirë. Na kanë dhënë bonus qiraje, kemi një muaj që na e kanë dhënë por ku të ikim ne, nuk na lënë asgjë këtu”, thanë banorët. Banorët e prekur nga tërmeti kanë përfituar dhe bonusin e qirasë, por shumë familje ne zonat rurale nuk pranojnë të largohen për shkak se nuk kanë ku të lënë bagëtitë.