Nga Alfred Peza
Me miratimin e qeverisë së re të Kryeministrit Albin Kurti dhe zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të Parlamentit, Kosova i dha fund jo vetëm një kalvari të pashembult politik 120 ditor të pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, por edhe tranzicionit mbi 30 vjeçar në historinë e vendit. Ardhja e një brezi të ri liderësh politikë në krye të dy pushteteve kryesore të vendit, krijon premisën për të nxjerrë në pension elitën e vjetër politike të vendit, duke i hapur rrugën një brezi të ri të lindur e rritur pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së ish Jugosllavisë, që ta udhëhequr Kosovën drejt sfidave të reja. Ishte ky realitet që po lindte në Prishtinë, edhe arësyeja që ma sa duket e çoi lojën politike për arritjen e marrëveshjes mes dy partive të para fituese Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, deri në limitin e fundit kohor. Me shpresën e një dështimi të mundshëm, duke dashur që të fitojnë parajsën e humbur, përmes provokimit të zgjedhjeve të tjera.
Duke qenë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani udhëhoqën listat e partive të tyre drejt fitores, përfaqësuesit e elitës së vjetër politike si brenda, u bënë bashkë për ta pamundësuar jetësimin e kësaj mazhorance liderësh të rinj. Me shpresën se duke i dorëzuar shpejt stafetën e pushtetit një brezi të ri politikanësh, besonin se në këtë mënyrë do të shmangnin daljen e tyre, nga skena e madhe e vendit. Përveçse moshës së re, ndryshe nga liderët e tjerë të partive parlamentare në Kosovë, Albin Kurti nuk është provuar asnjë ditë në qeverisjen e vendit. Ndërsa Vjosa Osmani, është e vetmja politikane grua që e ka udhëhequr deri më sot partinë si kandidate për kryeministre, duke e rikthyer në pushtet. Është kjo edhe arësyeja se përse aleancës së tyre të re, elita e vjetër, i trembet si djalli temjanit.
Në Kosovë kemi tri breza politikanësh: Brezit të parë, rrënjët i zenë fill që nga epoka e Josif Broz Titos duke vijuar, me kohën e shpërbërjes së ish Jugosllavisë së Millosheviçit. Megjithëse gjithnjë e më të pakët në numër, përfaqësuesit e tij vazhdojnë të jenë simbolet e gjalla të një bote të vjetër, që vazhdon të mos i shqitet ende realitetit të ri të Kosovës së sotme. Brezi i dytë, është një realitet që lindi nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa hynë me triumfalizmin e merituar në Prishtinën e çliruar nga NATO, për ta zëvendësuar shumë shpejt uniformën e luftëtarit për liri, me kostumin e politikanit. Ata njihen ndryshe edhe si “komandantët e luftës”, që qeverisën paqen. Për mbi dy dekada me radhë, e udhëheqën vendin drejt shpalljes së Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar në Ballkan, deri në ditët e sotme.
Brezi i tretë, përbëhet nga politikanë të brezit të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, që nuk bartin mbi shpatullat e tyre mëkatët e një tranzicioni në rrugën e vështirë drejt njohjes ndërkombatare, ngritjes si shtet funksional dhe integrimit euroatlantik të Kosovës. Përfaqësues të këtij brezi, janë pjesa më e madhe e 15 ministrave të qeverisë së re dhe e sallës së Kuvendit me 120 deputetë. Epoka që e re që ka nisur sot, pritet të lerë pas, një nga periudhat sa të vështira as edhe të lavdishme të historisë së Kosovës. E bashkë më të, mund të nxjerri herët ose vonë jashtë elitës politike të vendit, shumë prej protagonistëve të dy brezave të parë, që kanë mëkatet, por edhe meritat e tyre, për ta sjellë vendin deri në këtë pikë. Kjo epokë e re me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk shënon pragun e një luftë e re brezash. Por një moment të ri, një mundësi të re e të jashtëzakonshme, për një fillim ndryshe. Me ide të reja. Me mentalitet dhe qasje të re përballë sfidave të jashtëzakonshme që vendi ka përpara. Si në planin e brendshëm ashtu edhe me angazhimin për rifillimin e shpejtë të dialogut me Serbinë. Në aspektin e marrëdhënieve bilaterale me fqinjët dhe ato rajonale në Ballkanin Perendimor. E për të vijuar pa humbur kohë me sfidën e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës. Me anëtarësimin në institucionet kryesore ndërkombëtare, liberalizimin e vizave dhe hedhjen e hapave më të shpejtë drejt proceseve të integrimit euroatlantik të vendit.
Kjo axhendë përmbledh brenda saj, një barrë të madhe për shpatullat e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit dhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme për elitën e re politike të Kosovës që ato përfaqësojnë. E cila kërkon një ritëm, vision dhe mentalitet të ri, për të rikthyer shpresën tek brezat e rinj, të një Kosove të re Europiane. Ata e kanë të ndaluar të dështojnë në këtë sipërmarrje, ndaj duhet të shënojë doemos, nisjen e një epoke të re për shtetin e ri dhe ëndrrën e projektit të madh shqiptar në Ballkan. Në të kundërt, nuk do të kemi më pas thjeshtë një humbje politike për Kryeministrin e ri dhe Kryetaren e radhës së Kuvendit të Kosovës. Por dështimi i një brezi, që e mori stafetën nga komandantët e luftës, për ta humbur atë, në garën me lirinë.