Kryetari i Bashkisë së Kukës, Safet Gjici tha për ATSH se në momentin e marrjes së detyrës, bashkia ishte në gjendje të mjeruar, lënë në harresë për 30 vite. Në 5 muaj, sipas tij, është ndërhyrë në infrastrukturë rrugore, institucionet e arsimit dhe të shëndetësisë, si dhe janë sistemuar hapësirat publike dhe terrenet sportive.
“Menjëherë sapo kemi marrë mandatin kemi hartuar një plan emergjent për të ndërhyrë në rrugët me problematike dhe gjithashtu paralel jemi duke punuar në urbanistikën për hartimin e projekteve për ndërhyrje kapilare në këto rrugë”, u shpreh Gjici në një intervistë për ATSH-në.
Ai shtoi se janë sistemuar shumë rrugë rurale në të gjitha njësitë administrative, si rrugët në Brekije, Topojan, Cernaleve, Lojme, Surroj, Kolsh, Shtiqen, Gabrice, Nange, Kalis.“Është duke u punuar dhe për rrugët e brendshme te qytetit ku qyteti ishte plot gropa dhe sistemim trotuaresh, ndriçimi publik, pastrimi, gjelbërimi ishin në një situatë shumë alarmante dhe në këto 5 muaj është bërë ndërhyrje në çdo lagje dhe ne çdo njësi administrative. Gjithashtu kemi bërë dhe projektin për rehabilitimin e plotë te 3 lagjeve 4,5,6 ku parashikohet një ndërhyrje kapilare dhe zgjidh shumë problem urbane në qytetin e Kukësit”-tha ai.
Po ashtu Gjici shton se është ndërhyrë në shkollat, kopshtet dhe qendrat shëndetësore që janë rikonstruktuar.“Është ndërhyrë në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e bashkisë Kukës. Ku kopshtet kane pësuar një ndryshim rrënjësor qe nga menaxhimi, dhe tek infrastruktura dhe shumë elemente te tjerë duke bere qe fëmijët të frekuentojnë ambiente me kushte shumë komode ,dhe çerdhet me ushqim cilësor”, tha Gjici.Një tjetër investim për Kukësin tha Gjici është dhe ndërtimi i stadiumit, terrenet sportive.
“Stadiumi i ri po ecën me ritme shumë të mira dhe pritet që me fillimit e sezonit të ri futbollistik të përfundojnë punimet dhe të kemi një impiant modern me standarde bashkëkohore të UEFA-s, ku faza e dytë e projektit do jenë dhe terrenet sportive për ekipet zinxhir ku në bashkëpunim dhe me qeverinë shqiptare dhe FSHF jemi duke punuar që të kemi terren modern për ekipet zinxhirë të akademisë”, tha ai.
Po ashtu, Gjici tha se janë marrë të gjitha masat për sistemin e ngrohjes në institucione, kryesisht në ato arsimore.“Në gjithë shkollat e bashkisë Kukës janë marre masat për ngrohjen për të përballuar situatën dimërore, ku ngrohja në institucione arsimore bëhet me lëndë drusore dhe deri në këto moment nuk kemi pas asnjë problem”, tha ai.