Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti tha sot se Reforma Zgjedhore është një pikë kyçe e axhendës politike të Partisë Socialiste me theks prioritar përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Po ashtu, Gjylameti shtoi se në thelb të Reformës Zgjedhore është përputhja me kushtetutshmërinë e vendit. “Nga ana tjetër është bërë një punë e mirë bashkëpunuese në dy rrafshe: në rrafshin politik dhe teknik. Në thelbin e saj reforma ka përputhjen me kushtetutshmërinë e vendit duke qëndruar në përmasat demokratike dhe në balancë me pushtetet”, tha ajo.

Po ashtu, Gjylameti shtoi: “Kompromisi duhet të shërbejë të përmbushim rekomandimet brenda afatit nga OSBE/ODIHR dhe jo ato pjesë që mbivendosen për kredo politike dhe që nuk janë në veprimtarinë e reformës. Nuk mund që bashkëpunimi për përmirësimin e sistemit zgjedhor të përfshijë Reformën në Drejtësi, të gjithëpranuar dhe votuar nga palët. Ndërhyrja në proceset e drejtësisë së re nuk do t’i shërbente përparimit të mëtejshëm të konstruktivitetit për të zgjidhur çështjet sipas mjeteve politike dhe në përputhje me Kushtetutën”.