Drejtori sportiv i Partiznit, Olsi Rama, foli pas ndeshjes me Bylisin, për mediat, teksa shprehu rezerva në lidhje me gjykimin. Sipas Ramës, të kuqtë u vodhën në këtë përballje, teksa iu anulua një gol dhe goli i dytë i Bylisit, gjithmonë sipas drejtorit sportiv, nuk e kishte kaluar vijnë fatale.“Jam i zhgënjyer me rezultatin final dhe me lojën e ekipit. Përgëzime Bylisit për garën që bëri në “Air Albania”. Na i bëri të vështirë jetën gjatë 90 minutave. Mbase ekipi mendoi që me avantazhin e dyfishtë do ta kishte të lehtë. Ata nuk u dorëzuan asnjëherë dhe me thënë të drejtën nuk vodhën asgjë.Morën një pikë që merituan. Bylisi nuk vodhi asgjë, Partizanit iu vodh fitorja. Sepse iu anulua një gol i rregullt për një prekje të pa qënë me dorë. Ishte mbrojtësi i Bylisit që e çoi topin me kokë te Braun. Rezultati 3-1 do të ishte rrjedhë tjetër loje. Nga pamjet filmike që shikoj unë, më duket mëse e qartë që topi nuk e ka kaluar vijën.
Të gjitha përpjekjet që Partizani bën që të nderojë një garë, të vijë të luajë në stadiumin më të mirë në Shqipëri, 2 herë është dënuar me gola fantazmë. Ky shikohet qartë, nuk e kuptoj si u ngrit flamuri. Topi jo vetëm që nuk kaloi i gjithi, por Belica e ka goditur me pjesën e sipërme të këpucës.Shumë rrallë mund të qëllojë që të ankohem për arbitrimin. Është paaftësia e gjyqtarëve për të gjykuar. Nuk është dënuar vetëm Partizani, por unë nuk di raste ku jemi favorizuar. Është mëkat që nuk ka gol line teknology. Ne paguajmë shumën që kërkohet, që është e lartë dhe nuk plotësohen kushtet.Duhet zgjidhur kjo pjesë. Edhe ne duhet të jemi të qetë kur luajmë. Unë nuk jam supersticioz. Sportistat janë, por sinqerisht nuk na kanë ecur. Trajneri ka thënë që ndeshja jonë është kjo. E vlerësoja më shumë se derbin. Duhet të shkonim në ndeshjen me Tiranën me një diferencë më të vogël. Duhet të kapim objektivin me këtë kualitet që luajmë. Derbi s’është në fushën tonë. Në logjikë, ndeshja duhet të luhet këtu. Shpresojmë që të thyejmë tersin dhe të marrim 3 pikët”, tha Olsi Rama.